Është regjistruar rasti i parë në Angli i një qeni me COVID-19, pasi u infektua nga pronarët.
Rasti u konfirmua pas testeve në laboratorin e Agjencisë së Shëndetit të Kafshëve dhe Bimëve në Weybridge, Surrey, javën e kaluar.
Infeksioni i qenit mund t’i bëjë pronarët që kanë rezultuar pozitivë të izolohen nga kafshët shtëpiake për të mbrojtur shëndetin e tyre.
Veterinerja kryesore e Mbretërisë së Bashkuar, Christine Middlemiss, tha se është ‘shumë e rrallë’ që qentë të infektohen me COVID-19.
“Është shumë e rrallë që qentë të infektohen dhe ata zakonisht tregojnë vetëm shenja të lehta klinike dhe shërohen brenda pak ditësh. Nuk ka asnjë provë të qartë që sugjeron se kafshët shtëpiake transmetojnë drejtpërdrejt virusin te njerëzit. Ne do të vazhdojmë ta monitorojmë nga afër këtë situatë dhe do të përditësojmë udhëzimet tona për pronarët e kafshëve shtëpiake nëse situata ndryshon”, tha ajo.
Njerëzit këshillohen të lajnë duart rregullisht, duke përfshirë para dhe pas kontaktit me kafshët.
Rasti i qenit është raportuar në Organizatën Botërore për Shëndetin e Kafshëve në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare.