Regresi ekonomik i Kosovës

Prishtinë | 03 Qer 2019 | 08:01 | Nga Ekonomia Online

Zvogëlim i nivelit të punësimit, rritje e borxhit publik, ulje e investimeve të huaja direkte dhe rritje e deficitit buxhetor, janë disa nga gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën, i cili është publikuar ditë më parë.

Përhapja e ekonomisë joformale, nismat për pagat e punonjësve publikë dhe transferimet sociale për grupe të veçanta, mbeten shqetësimet kryesore të KE-së, e të cilat, sipas tij, krijojnë rreziqe të rëndësishme fiskale dhe ndikim negativ në stabilitetin makroekonomik, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kjo situatë, sipas KE-së, ka penguar zhvillimin e sektorit privat në Kosovë. Kësaj i shtohen edhe niveli i lartë i korrupsionit dhe sundimi i dobët i ligjit.

Kosova, sipas këtij raporti, ende nuk po arrin të kalojë fazën e hershme të ndërtimit të një ekonomie të mirëfilltë të tregut. Ndërkohë, taksa e vendosur nga Qeveria e Kosovës për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, në nëntor të vitit të kaluar, sipas raportit, përbën një shkelje drejtpërdrejtë të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA).

Të ngjashme