Trajneri italian Edy Reja do të vazhdojë punën e tij në krye të Kombëtares së Shqipërisë edhe pas përfundimit të eliminatoreve për “Euro 2020” që mbyllen muajin tjetër.
Mediumet tiranase kanë njoftuar të mërkurën se Reja tashmë ka arritur marrëveshje me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) për të rinovuar kontratën deri në fund të eliminatoreve për botërorin “Katari 2022”.
Reja në prill të këtij viti mori drejtimin e Shqipërisë pas shkarkimit të Christian Panuccit dhe firmosi kontratë deri në muajin nëntor kur edhe mbyllet cikli eliminator për “Euro 2020”, transmeton Koha Ditore. Në FSHF janë të kënaqur me punën e italianit dhe për këtë arsye ia kanë ofruar rinovimin.
“Kreu i FSHF-së, Armand Duka dhe Edy Reja do të takohen përpara ndeshjeve të nëntorit për të formalizuar rinovimin e kontratës. Me këtë veprim Reja do të jetë në krye të Shqipërisë deri në fund të eliminatoreve për botërorin e vitit 2022”, ka shkruar “Balkanweb”.
Aktualisht Shqipëria zë vendin e katërt në Grupin H eliminator me 12 pikë të tubuara pas tetë ndeshjeve të zhvilluara.