Kombëtarja e Shqipërisë të mërkurën zhvilloi seancën e radhës stërvitore, teksa gjatë paradites kuqezinjtë patën zhvilluar një tjetër stërvitje me karakter fizik që zgjati për rreth 45 minuta.
Një pasdite jo edhe aq e qetë për trajnerin Edy Reja i cili shqetësimin më të madh që i ka karakterizuar prej kohësh kuqezinjtë pra dëmtimet janë shfaqur sërish.
Shqetësime fizike për Naser Alijin, i cili gjatë pasdites ka kryer disa ushtrime fizike të lehta veçmas nga pjesa tjetër e grupit, teksa për t’u vlerësuar më me kujdes mbetet edhe gjendja e Ledjan Memushaj i cili gjithashtu është stërvitur i diferencuar duke bërë disa vrapime të lehta rreth fushës.
Ndërsa stafi mjekësor i kuqezinjve do të japë edhe një përgjigje përfundimtare nëse Memushaj mund të vazhdojë përgatitjet apo do t’i duhet të lerë grumbullimin.
Egzon Binaku një tjetër lojtar në listën e trajnerit Reja mund të mos i bashkohet ekipit. Mbrojtësi i Norrkoping ka pësuar një dëmtim në pjesën e gjurit dhe një përgjigje përfundimtare do të mund të jepet vetëm pak testeve mjekësore më të detajuara që do të kryejë lojtari.
Ndërsa, në mbrëmje me kombëtaren u bashkua edhe Mërgim Mavraj, teksa Marash Kumbulla po qëndron me ekipin e Veronës për shkak të impenjimeve që ka skuadra e tij në fazën play-off të Serie B.