Rekomandohet aprovimi i barit të parë për ta trajtuar Coronavirusin

Prishtinë | 25 Qer 2020 | 14:39 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi, ka njoftuar se Agjencia Evropiane e Barnave ka marrë rekomandim për aprovimin e barit të parë për të trajtuar koronavirusin.

“Rekomandohet për aprovim bari i parë për trajtimin e COVID-19. Agjencia Europiane e Barnave – EMA ka pranuar rekomandimin nga komisioni shkencor CHMP i Agjencisë për aprovim të barit të parë për trajtimin e sëmundjes COVID – 19 të shkaktuar nga coronavirusi SARS CoV 2. Ky është një lajm shumë i mirë për të gjithë botën sidomos në ditët e fundit kur po shënohen rekorde të rasteve të reja të të infektuarve në tërë globin”, shkruan në Facebook Jakupi.

Jakupi thotë se me këtë rast secili shtet duhet që të fillojë të bëjë planet konkrete për furnizimin me produktin e sapo aprovuar dhe të vendosë parametrat e saktë për indikacionet dhe trajtimet për pacientët.

“Shpresojmë që ky të jetë vetëm fillimi dhe që shpejt të kemi edhe barna të tjera të aprovuara si edhe vaksinën në mënyrë që si te ne në Kosovë por edhe në tërë globin të ulet tërë ky presion i ngulfatjes së kapaciteteve shëndetësore shtetërore, sfidimit të profesionistëve shëndetësorë, uljes se rasteve me fatalitet por edhe kthimit të përgjithshëm në normalitet”, shkroi Jakupi.

Të ngjashme