Siguria e përgjithshme në territorin e Ferizajt është e qetë dhe stabile. Ky vlerësim doli nga mbledhja e 4-të e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi. Përfaqësues të institucioneve të sigurisë, klerit fetar, drejtuesve e përfaqësuesve të institucioneve edukative, komunitete joshumicë e shoqëri civile, të prirë nga Nënkryetari i Komunës, Naim Ferati, për dy orë diskutuan për sigurinë në shkolla, vetëdijësimin e të rinjve për evitimin e përdorimit të substancave narkotike dhe një varg çështjesh të tjera të aspektit të sigurisë në nivelin lokal.
Siguria në shkolla ishte tema që shteroi shumë nga diskutimet, me ç’rast u ngritën shqetësime nga të pranishmit, veçanërisht përfaqësuesja e Këshillit të Prindërve, pjesëmarrëse në këtë mbledhje. Ajo, duke bërë një vlerësim të përgjithshëm për funksionimin e mekanizmit që drejton dhe sfidat e sigurisë në shkolla, tha se është domosdo që të vendoset sigurimi fizik në objektet shkollore me qëllim evitimin e rreziqeve dhe përhapjes së dukurive negative në mesin e nxënësve.
Këtë propozim, të dalë edhe nga bisedat paraprake më Drejtorinë e Arsimit, e mbështeti fuqishëm drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Afrim Llabjani i cili tha se qeverisja lokale e udhëhequr nga Kryetari Aliu ka gjithë interesimin dhe vullnetin që ta ndërtoj një sistem të mirëfilltë sigurie dhe cilësie në arsimin lokal e që ndër masat kryesore për të arritur këtë objektiv është edhe ky i propozuar sot. Me miratimin e përgjithshëm të të pranishmëve, mbeti që në afat optimal të inicohet procedura përkitazi me këtë shërbim në të gjitha shkollat e Ferizajt.
Pika tjera diskutimi në këtë mbledhje ishin edhe trajtimi i lëmoshkërkuesve, siguria në sheshet e qytetit, funksionimi i mekanizmave të përkujdesit social si dhe infrastruktura e sigurisë në përgjithësi në Ferizaj.