Më tepër se 14 milionë bileta janë kërkuar për Kampionatin Evropian të vitit 2020 gjatë tri javëve të para të “dritares së shitjes”, duke thyer rekordin e turneut, ka njoftuar UEFA të martën.
Në fazën e parë të shitjeve, që zgjat një muaj e që ka nisur më 12 qershor, janë vënë në dispozicion 1.5 milionë bileta për publikun e përgjithshëm si pjesë e politikës së UEFA-s, “tifozi i pari” për këtë turne, shkruan sot Koha Ditore.
Evropiani 2020, që do të luhet nga 12 qershor deri më 12 korrik të vitit të ardhshëm, do të zhvillohet në 12 qytete nëpër Evropë për herë të parë, duke shënuar 60-vjetorin e këtij turneu. Ndeshjet do të luhen në Romë, Baku, St. Petersburg, Kopenhagë, Amsterdam, Bukuresht, Londër, Glasgow, Bilbao, Dublin, Mynih dhe Budapest.