Italia ka regjistruar një tjetër rekord negativ këtë të premte për koronavirusin me 31084 raste të reja pozitive dhe 199 viktima.
Ky është numri më i lartë i infeksioneve i regjistruar në harkun kohor të një ditë që nga fillimi i pandemisë.
Në total janë kryer 215,085 teste. Në repartet e kujdesit intensiv janë regjistruar 95 pacientë më shumë.
Rajoni me rritjen më të madhe të infeksioneve është Lombardia (8,959 raste të reja pozitive).
Në këtë situatë, Italia po shkon drejt skenarit 4 të pandemisë që do të thotë virusi është jashtë kontrollit me problematikë kritike në përballimin e sistemit të gjurmimit e në sistemin e shërbimeve territoriale e shëndetësore.
5 rajone ndodhen në këtë skenar kritik, përkatësisht: Lombardia, Emilia Romagna, Piemonte, Campania e Bolzano.