ORCA ka publikuar raportet përmes të cilave për herë të katërt është bërë 1. matja e transparencës formale (linku i raportit) dhe 2. shpenzimeve të fondeve publike (linku i raportit) për shtatë universitetet publike në Kosovë.
Gjetjet e hulumtimeve tregojnë se në vitin 2019 paga mesatare e një profesori me pozitë drejtuese në një nga universitetet publike ishte 1,916 Euro në muaj, prej të cilave 696 Euro ishin honorare shtesë. Ndonëse ky është një përmirësim sepse në vitin 2018 paga mesatare kapte vlerën 2013 Euro, prej tyre 836 Euro shtesa, shifrat mbeten shqetësuese pasur parasysh ekonominë kosovare.
Në deklarimin e pasurisë së vitit 2019, rektorit të Universitetit të Gjilanit Bajram Kosumi, nëse i mblidhen të gjitha të ardhurat nga universitetet publike i bie t’i ketë marrë 2,973 Euro në muaj. Përveç pagës bazë prej 1,283 Eurosh si profesor, honoraret shtesë të tij arrijnë mesatarisht 1,690 Euro në muaj, për qindra euro më të larta se paga bazë. Rektori në fjalë është personi më i paguar nga të gjitha universitetet publike madje në konkurencë edhe me pozitat në nivel vendi. Krahasimisht, Presidenti i Kosovës ka pagën 2,792 Euro, pra 181 Euro më të vogël se rektori i Gjilanit.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, Presidenti i Kosovës është simbol i unitetit të popullit, komandant suprem i forcave të sigurisë, drejtues i Këshillit Kombëtar të Sigurisë, udhëheqës i politikës së jashtme dhe garant i Kushtetutës së Kosovës. Përgjegjësitë e tij gjithashtu përfshijnë emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, dekretimin e ligjeve dhe shpalljen e zgjedhjeve.
Në anën tjetër, rektori i Universitetit të Gjilanit udhëheq një institucion që ka buxhet vjetor më pak se dy milion Euro dhe staf akademik prej 47 personash.
ORCA thekson se paga të larta kanë edhe profesorët e tjerë në pozita drejtuese. Pesë profesorët me të ardhurat më të larta në universitetet publike paguhen mesatarisht 2,873 Euro në muaj. Prej tyre, 1,521 Euro janë shtesa, apo sa 112% e pagës mesatare mujore.
Rektorët e universiteteve publike paguhen mesatarisht 2,597 Euro në muaj, nga të cilat 1,243 Euro janë shtesa, ndërsa prorektorët paguhen mesatarisht 2,132 Euro në muaj, prej tyre 863 Euro shtesa. Dekanët paguhen 2,066 Euro në muaj, prej tyre 837 Euro shtesa, ndërsa prodekanët paguhen 1,798 Euro në muaj, prej tyre 581 Euro shtesa.
Sa i përket transparencës institucionale gjetjet tregojnë se Universiteti i Prishtinës është universiteti më transparent. Nga 24 dokumente dhe informatat të nevojshme publike sa i kishte në shkurt të vitit 2019, pas katër matjesh periodike dhe kritikave publike për mungesën e tyre, tani i ka të publikuara të gjitha 27 informatat e kërkuara. Ndërkaq, Universiteti i Ferizajt, që ende ka numrin më të vogël të publikimit të dokumenteve dhe informatave publike, ka arritur ta dyfishojë numrin e tyre, nga 8 sa i kishte në shkurt të vitit 2019, në 16 sosh në tetor të vitit 2020.
Këto raporte janë publikuar me ndihmë financiare nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) në kuadër të projektit “Cilësi, Llogaridhënie, Integritet dhe Transparencë në Arsimin e Lartë – QAINT”. Qëndrimet e paraqitura në raporte apo në këtë artikull nuk e paraqesin domosdoshmërisht edhe qëndrimin e ADA.