Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema ka shprehur ngushëllime për vdekjen e profesorit Musa Stavileci.
Ky është telegrami i rektorit Dema:
Me pikëllim të thellë e pranuam lajmin që sot u nda nga jeta prof. dr. Musa Stavileci.
Stavileci ishte inxhinier i ndërtimtarisë dhe profesor universitar. Rrugëtimin në UP e filloi si student në Fakultetin Teknik, në studimet themelore, ndërkaq, si asistent iu bashkua Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në vitin 1972, për tu avancuar më pas në të gjithë titujt e tjerë universitarë. Përveç në aspektin akademik, ai i shërbeu UP-së edhe me punën menaxheriale, të dhënë me shumë përkushtim, si shef katedre dhe dekan i FNA-së.
Profesor Stavileci ishte autor i shumë teksteve universitare, si dhe autor e bashkautor i disa punimeve shkencore të botuara në Kosovë dhe jashtë saj.
Profesor Musa Stavileci, për të gjithë ata që e njohën, paraqet një figurë të akademikut të kompletuar. Ai, nga studentët e tij, shquhet si udhërrëfyes e pedagog i shkëlqyer.
Andaj, me lejoni që në emër të organeve drejtuese dhe menaxhuese, studentëve, stafit akademik dhe administrativ të UP-së, tu shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve, kolegëve dhe studentëve të tij, për humbjen e më të dashurit tuaj.
I paharruar qoftë kujtimi për profesor Stavcilecin!