Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, ishte i ftuar në emisionin “Metropol” që transmetohet në Radio Kosova, i cili gjerësisht ka folur për orientimin në karrierë, si dhe për të rinjtë si sivjet do të fillojnë rrugëtimin akademik universitar.
Rektori Hajrizi potencoi se vendi dhe bota në përgjithësi ka nevojë për ekspertë dhe profesionistë, megjithatë, në raport me kërkesat ka mungesë të njerëzve të kualifikuar, prandaj sipas tij, është e rëndësishme zgjedhja e profesionit.
Tutje, ai theksoi se investimi në shkollim cilësor është qelës kryesor për t’u shndërruar në profesionist.
“Edukimi nuk duhet të ndalet as në kohë lufte, sepse nëse ndalet atëherë humbet shoqëria, ndalet edhe zhvillimi.”, theksoi rektori Hajrizi.
Më pas, rektori Hajrizi foli edhe për organizimin e suksesshëm të provimeve online në UBT, rolin model që UBT e pati në kohën e pandemisë COVID-19, teksa në cilësinë e ekspertit në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, përmendi edhe teknologjinë 5G, si dhe mundësitë enorme që kjo teknologji i ka ofruar institucionit në kohë pandemie.