Gjatë vizitës së realizuar në Gjermani, rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi ka vizituar Universitetin Teknik të Mynihut, përkatësisht Qendrën e Ndërmarrësisë së këtij universiteti, me ç’rast është pritur nga udhëheqësit e qendrës.
Gjatë takimit është biseduar mbi mundësinë e bashkëpunimit institucional ndërmjet kësaj qendre dhe Inkubatorit të UBT-së, me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të të dy palëve, si dhe është diskutuar edhe mundësia e qëndrimit të studentëve të UBT-së në këtë qendër, që konsiderohet si njëra ndër qendrat më të suksesshme të ndërmarrësisë në botë.
Universiteti Teknik i Mynihut është një nga universitetet më të mira të Evropës. Si i tillë është i angazhuar për përsosmëri në kërkime dhe mësimdhënie, edukim ndërdisiplinor dhe promovim aktiv të shkencëtarëve të rinj premtues. Universiteti gjithashtu krijon lidhje të forta me kompani dhe institucione shkencore anembanë botës.
Ky institucion është një nga universitetet e para në Gjermani dhe më parë quhej Universiteti i Ekselencës, teksa renditet rregullisht në mesin e universiteteve më të mira evropiane në renditjen ndërkombëtare.