Rektori i UPZ-së takon studentët protestues: S’kemi para të mjaftueshme për bursat

Prishtinë | 06 Mar 2018 | 14:46 | Nga

Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Ramë Vataj, i shoqëruar edhe nga kryesuesi i Këshillit Drejtues, Bedri Muhadri dhe anëtarë të tjerë të menaxhmentit, sot kanë pritur në takim studentët protestues për çështjen e bursave, të kryesuar nga kryetari i Parlamentit të Studentëve, Arianit Berisha, transmeton Ekonomia Online.

Në një komunikatë për medie nga ky Universitet bëhet e ditur se rektori Vataj dhe kryesuesi Muhadri i njoftuan studentët se ende universiteti nuk ka alokuar mjetet bursistëve për vitin akademik 2015/2016, për arsye të mungesës së fondeve të mjaftueshme në buxhetin e Universitetit.

“Për atë vit akademik në UPZ e kanë fituar të drejtën e bursës 148 studentë, kurse në buxhetin e Universitetit, në kategorinë e subvencioneve aktualisht janë vetëm 30 mijë euro. Planifikimin e ka bërë MASHT, pasi që ende nuk jemi pavarësuar në aspektin buxhetor.

Kjo shumë nuk mjafton. Rektori Vataj me këtë rast potencoi se dëshira e  menaxhmentit dhe organeve drejtuese është që për të gjithë studentët përfitues të bursës  të ketë një shumë dinjitoze, jo simbolike. Jemi në pritje të vendimit nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë që të na lejojnë që të shfrytëzohen fonde nga kategori të tjera ekonomike apo të na sigurojnë mjetet e nevojshme”, thuhet në komunikatë.

“Me ndihmën e MASHT, besojmë se mund të bëjmë zgjidhje për studentët bursistë.   Jemi të vetëdijshëm për vonesat, mirëpo  kërkojmë mirëkuptim nga bursistët sepse qëllimi është që të përfitojnë një bursë të dinjitetshme.”, theksoi Rektori Vataj.

Edhe kryesuesi i Këshillit Drejtues, Bedri Muhadri, theksoi se do të bëjnë ç’është e mundur që në afat sa më të shpejtë të zgjidhim problemin e bursave për studentët e UPZ-së.

Të ngjashme