Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), prof.dr. Alush Musaj, pas konsultimeve me menaxhmentin, mësimdhënësit dhe personalitete të jetës akademike në Mitrovicë, ka marrë nismën për ndarjen e çmimit “Honoris Causa” për akademikun Minir Dushi, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimin e arsimit të lartë në Mitrovicë. Ideja është që ky çmim për akademikun të ndahet me rastin e 10 vjetorit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë.
Rektori Musaj, e ka vizituar akademikun Dushi në shtëpinë e tij në Prishtinë, me të cilin ka biseduar për këtë nismë. “Është e jashtëzakonshme që kemi mundësinë të nderojmë një personalitet me emrin e të cilit ndërlidhet jeta akademike në Mitrovicë, prej hapjes së Shkollës së Lartë Teknike në vitin 1961 e tutje”.
Akademik Dushi është shprehur jashtëzakonisht i prekur dhe shumë mirënjohës për nismën që ai të nderohet me çmimin “Honoris Causa” nga UIBM. Megjithëse në moshën 95 – vjeçare, shprehu gatishmërinë që të bëhet pjesë e manifestimit për shënimin e 10-vjetorit të UIBM dhe 62 vjetorit të jetës akademike në Mitrovicë.
Nisma për ndarjen e çmimit “Honoris Causa” nga rektori Musaj, do të kalojë nëpër procedurat e zakonshme, kurse vendimi merret në Senatin e UIBM. Është hera e parë që planifikohet të ndahet një çmim i tillë nga UIBM.