Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti, vizitoi sot njësitë akademike, ku po mbahen provimet pranuese për kandidatët për studentë të rinj të UP-së.
Rektori Sahiti, në këto vizita, ishte i shoqëruar nga prorektorja për mësim dhe çështje për studentë, prof. asoc. dr. Mimoza Ibrani, si dhe nga sekretari i përgjithshëm, Esat Kelmendi. Gjatë vizitave, Rektori Sahiti iu uroi suksese kandidatëve, duke i motivuar ata që në këtë sfidë të japin maksimumin e tyre.
“Këtë sfidë ju po e përjetoni për të paren herë, njëjtë si unë, që vij për të paren herë pranë jush në cilësinë e rektorit, andaj ju uroj shumë suksese në këtë hap të rëndësishëm për ju,” tha ndër të tjerash rektori. Në anën tjetër, dekanët e njësive akademike dhe profesorët mbikëqyrës e informuan rektorin Sahiti së gjithçka është duke shkuar ashtu siç është planifikuar, si dhe falënderuan rektorin për kujdesin e treguar.
Gjatë provimeve pranuese u dallua respektimi i masave mbrojtëse nga pandemia Covid-19, me qëllim ruajtjen e shëndetit të kandidatëve për studentë dhe të stafit. Rektori Sahiti ka vizituar sot Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, Fakultetin Filologjik si dhe Fakultetin e Arkitekturës, për të parë rrjedhën e procesit të provimit pranues.
Ndërkaq, për vizitë, rektori, së bashku me bashkëpunëtorë, u ndal edhe te Fakulteti Ekonomik, ku me dekanin e këtij fakulteti, prof. asoc. dr. Fatos Ukajn, biseduan rreth sfidave në këtë fillimvit akademik.Provimet pranuese do të vazhdojnë deri më 6 tetor 2020. Nesër, duke filluar nga ora 09:00, Fakulteti i Shkencave Matematike – Natyrore, Fakulteti Ekonomik, si dhe Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinës do të organizojnë provimet pranuese për kandidatët për studentë të rinj në vitin e parë të studimeve baçelor, për vitin akademik 2020/21.