Gjatë dëshmisë së dhënë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, të premten, Rrustem Mustafa, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Llapit, ka thënë se sjellja e pjesëtarëve të UÇK-së ka qenë e mirë me popullatën civile.
“Sjelljet e pjesëtarëve të UÇK-së kanë qenë të mira me popullatën civile, s’ka qenë problem kjo çështje”, ka thënë ish-komandat Remi.
Këtë deklarim, i njëjti e bëri duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit mbrojtës të Thaçit, Luka Mishetiq, kur u pyet se a kanë zbatuar urdhrin nga Bislim Zyrapi si shef i Shtabit të Përgjithshëm, që të parandaloheshin sjelljet jokorrekte nga popullatës civile nga gjitha njësitet e UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, dëshmitarit iu paraqit një dokument i nënshkruar nga Zyrapi, i nëntorit 1998, ku është urdhëruar parandalimi i sjelljeve jokorrekte ndaj popullatës civile, ndalimi i arrestimit dhe ndalimit pa leje të komandantit të Brigadës apo më lartë, e që dëshmitari Mustafa tha se nuk i kujtohet me saktësi ky dokument, por ngjason në dokumentet që kanë marrë dhe nuk ka pse ta mohojë se nuk është dokument zyrtar i UÇK-së.
“Pa dhanë urdhër i komandanti i Brigadës, s’ka mujt me u arrestu kurrkush, po gjitha rekomandimet jemi përpjek me i zbatu”, shtoi ai.
Më tej, dëshmitari tha se në takimet me komandantët e zonave kur janë drejtuar nga Zyrapi, nuk i kujtohet që të kenë folur për të ndaluarit, por se nga kontaktet e diskutimeve mund të mendojë se është folur.
Po ashtu, Remi është pyetur se cilët nga komandantët ka marrë pjesë në këto takime, e që ka pohuar emrat e Rrahman Ramës, Ahmet Isufit, Sylejman Selimit, Shukri Bujës dhe Ramush Haradinajt, e po ashtu edhe të komandat Drinit.
Lidhur me këtë të fundit, dëshmitari tha se nuk i kujtohet data por se e di që Drini ishte bërë komandant më vonë.
Gjithashtu, dëshmitarit i është lëshuar një pjesë e videos nga intervista e tij me BBC-në, ku dëgjohej duke thënë se janë këshilluar nga ndërkombëtarët që të mos i shkelnin të drejtat e civilëve.
Mustafa pohoi se deklarimi i tij është i saktë dhe se tha se në çdo kohë që janë takuar me ndërkombëtarë, janë këshilluar për sjellje dhe mbarëvajtje të punëve.
Po ashtu, u pajtua me parashtrimin se edhe Shtabi i Përgjithshëm ishte i zellshëm, që UÇK-ja të perceptohej sa më mirë në arenën ndërkombëtare dhe se kanë dhënë udhëzime për mënyrën që të respektohej ligji i luftës.
Ndërkaq, paraprakisht dëshmitari u pyet nëse marrëveshja mes Richard Holbrooke dhe Millosheviqit ka ndodhur më 9 tetor 1998, e që ai u përgjigj me “po, besoj që po”.
Më tej, iu paraqit dokumenti i marrëveshjes nga ministri i Punëve të Jashtme të ish-Jugosllavisë dhe misionit të OSBE-së, në të cilën parashihej edhe lejimi që të kenë mundësi kontakti me personat e ndaluar.
Lidhur me këtë, ai tha se nuk i kujtohet nëse atëkohë e ka njohur këtë marrëveshje, por se me anëtarë të misionit e di se kanë diskutuar për personat e ndaluar dhe i është lejuar kontakti me ta.
Në vazhdim u pyet edhe për takimin me Adem Demaçin dhe Arben Kurtin, ku të pranishëm kishin qenë edhe Nuredin Ibishi, Fatmir Humolli e të tjerë, lidhur me informimin për marrëveshjen dhe obligimet që kanë dalë nga e njëjta, e që dëshmitari Mustafa tha se i kujtohet.
Ndër të tjera, tha se ishte biseduar edhe për organizimin e strukturës së Policisë së Kosovës në fazën e parë pas lirimit kur tha se Holbrooke kishte sugjeruar që kjo të jetë policia e ardhshme e Kosovës.
Si dhe tha se nga biseda me të, i kujtohet se ai ishte shprehur i kënaqur me profesionalizmin e Nuredin Ibishit në atë kohë.
Gjithashtu, dëshmitarit iu paraqit dokumenti tjetër, ku iu kërkua nga avokati Mishetiq që të lexonte nenin 1, i cili përmbante atë se UÇK-ja për të kryer detyrat e saj të rëndësishme duhet të ketë disiplinë të fortë bazuar në Kushtetutë, akte ligjore dhe nënligjore.
I pyetur se për çfarë aktesh ka qenë fjala në këtë dokument, dëshmitari Mustafa u përgjigj se ‘‘nga trashëgimia ligjore nga ish-sistemi i Jugosllavisë ku bënte pjesë edhe Kosova, po s’mundem me thanë me saktësi tash’’.
Temë tjetër e pyetjeve të mbrojtjes së Thaçit ishte edhe inspektimi nga Shtabi i Përgjithshëm në Zonën e Llapit, ku dëshmitari përmes paraqitjes së një dokumenti ku thuhej ‘lufta speciale dhe propaganda nuk është e pranishme’, u pyet nëse s’ka pasur luftë speciale nga Serbia në zonën e Llapit në ‘98-ën apo ka qenë ankesë e tij se Shtabi i Përgjithshëm nuk po angazhohej në luftën speciale në zonën e tij.
‘S’muj me komentu se s’po më kujtohet si dokument, kanë folë për luftë speciale të veçantë me siguri’’ dhe ‘‘ka pas gjithherë propaganda’’, ishin përgjigjet e tij.
Kurse, më pas iu paraqit edhe një dokument tjetër që pretendohet të jetë shkruar nga Leka – komandant i Brigadës 151, ku avokati Mishetiq lexoi se thuhej ‘apel që të mos ketë thyerje dhe përçarje mes popullatës dhe të merren masa në drejtim të pajtimit kombëtar’.
Dëshmitari Msutafa tha se Leka ka qenë Nuredin Ibishi dhe se nuk dëshiron të komentojë sepse nuk e ka të qartë çfarë ka dashur të nënkuptojë.
Ndërkaq, i pyetur nëse ishte në dijeni për draft-marrëveshjen mes UÇK-së dhe FARK-ut, Mustafa tha se ka qenë e parëndësishme për të andaj nuk e mban mend.
Gjatë dëshmisë së tij, ish-komandat Remi sqaroi edhe tensionet në rrugën Prishtinë-Podujevë, ku tha se ‘‘ka qenë përpjekje e forcave serbe me hy në fshatrat ku ne po përpiqeshim të mbizotëronim, ka pas dyluftim’’.
Po ashtu, tha se ka pasur presion edhe nga forcat armike por edhe nga misioni që udhëhiqej nga William Walker që të tërhiqeshin më lartë.
Lidhur me dy çështje konkrete është kaluar në sesion privat dhe më pas sërish seanca ka vazhduar në sesion publik, ku më tej janë parashtruar pyetje për intervistimin e të ndaluarve nga grupi i OSBE-së.
Mustafa u pajtua se ata kishin pasur kushtet që ishin përshkruar nga ky grup, ku thuhej se tetë të ndaluarit kishin pohuar se kushtet e jetesës ishin të mira, se kishin shtretër dhe ushqim sikurse të ushtarëve dhe se kishin pasur të drejtë të dilnin jashtë dhe të shkonin në tualet me leje të rojës.
Në vazhdim, dëshmitari Mustafa tha se mjeku Skender Murati ka qenë në regjionin e tij dhe tha se është e mundur se ai ka ofruar kujdes edhe ndaj të ndaluarve në zonën e tij.
Pothuajse në përfundim të pyetjeve të mbrojtjes së Thaçit, Mustafa tha se ka marrë pjesë në takimet me gjeneralin Jackson për demilitarizim, duke shtuar se ka qenë i pranishëm edhe gjenerali Çeku me ta.
I njëjti pohoi se është vendosur në vitin 2001 në listën e sanksioneve të SHBA-së dhe emri i tij ka mbetur në listë edhe në vitin 2003.
Në fund, ai u pyet nëse ka ndryshuar dëshminë e tij në ndonjë mënyrë si rezultat i caktimit si këshilltar i Thaçit në vitin 2019, dhe ai u përgjigj se ‘‘jo z. Avokat, unë kur kam shkruar libra dhe kam bë kësi intervistash as që ka mëndu ndonjëri i gjallë që z. Thaçi do të jetë pranë gjykatës sot, unë kam pas të njëjtin qëndrim gjatë luftës e pas luftës’’.
Ai është përgjigjur sërish me “jo”, kur u pyet se a ka pasur ndikim emërimi i tij në atë pozitë mbi atë çfarë ka thënë para gjykatës.
Me këto pyetje, ka përfunduar marrja në pyetje e ish-komandat Remit nga mbrojtja e Thaçit.
Po ashtu, të gjitha dokumentet e përdorura gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit janë propozuar si prova materiale dhe trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Charles Smith, i ka pranuar si të tilla.