Ish-komandanti i UÇK-së, Rrustem Mustafa – Remi ka folur për punën e Gjykatës Speciale në përgjithësi dhe rastin e tij në veçanti. Ai është i bindur se bashkëluftëtarët e tij dhe ai janë plotësisht të pafajshëm.
I ftuar në Pressing, Remi ka dhënë detaje për procesin ndaj tij, pasi ishte intervistuar nga Dhomat e Specializuara.
“Unë respektoj drejtësinë por nuk e llogaris vetën peng sepse jam i sigurt se s’ka gjë në ato punë. Secila drejtësi që ne mund të besojmë, unë besoj në drejtësi, nuk mundet ndryshe me pru vendim përveç aktgjykim lirues për mua por edhe për secilin që thirret për këto pretendime që janë përmendur deri më tani”, tha Remi.
“Unë nuk po them që Gjykata Speciale apo një Gjykatë në vendin tonë nuk ka me çka të mirret sidomos në vitet e pasluftës por unë po them se për qëllimet që është ngrit kjo Gjykatë e ka humb qëllimin. Ajo duhet të përfundojë punën e vetë sa më shpejtë ose duhet të kthehet në vendin tonë dhe t’i ndihmojmë ne si vendor që sa më shpejt të dalim”, shtoi ai.