Remikset më të suksesshme të këngëve shqip

Prishtinë | 02 Gus 2017 | 09:23 | Nga

Në skenën botërore, shumë prej këngëve që publikohen, ofrojnë edhe versionet e tyre zyrtare remiks, apo mundësinë për t’u ripërpunuar dhe miksuar nga DJ të ndryshëm që nuk kanë lidhje me shtëpinë prodhuese, por i lëshojnë ato në evente të ndryshme.

Shumë këngë, të cilat janë realizuar remix, kanë rezultuar më të suksesshme se vetë këngët origjinale.

Derisa këngë të shumta botërore i gjejmë të përpunuara dhe të paktën kanë një remix zyrtar, kjo nuk vërehet shumë te këngët shqipe.

Ndryshe nga vitet e kaluara, ky vit ka sjellë disa këngë të këngëtarëve të njohur shqiptarë në remix, të realizuara nga DJ të ndryshëm, që shumë prej tyre kanë arritur të dëgjohen dhe të pëlqehen mjaft shumë nga publiku. Kjo falë dy djemve të talentuar, DJ Bess dhe DJ Gon Haziri, të cilët 2 vjetët e fundit kanë publikuar disa këngë remix, që u kanë sjellë sukses ndërkombëtar dhe miliona klikime në “Youtube” gati 3 fish më shumë nga ato origjinale, shkruan koha.net.

Këtë më së miri e tregon kënga “Nëntori” e Arilena Arës, me të cilën këngëtarja mori pjesë vitin e kaluar në festivalin “Kënga Magjike”. DJ-të në fjalë, në dhjetor të vitit të kaluar publikuan remiksin e kësaj kënge, e cila rezultoi shumë e suksesshme. Remiksi i këngës “Nëntor” sot numëron 16 milionë klikime, ndryshe nga versioni origjinal që numëron 10 milionë klikime në youtube.

Një sukses i tillë ka ndodhur edhe me këngën “Don’t let me go” nga këngëtarja shkupjane, Kanita. Kënga origjinale u publikua gjatë vitit të kaluar me videoklip dhe numëron 469 mijë klikime. Ndërsa suksesi vërehet te remiksi, i realizuar nga të dy DJ-të e njohur shqiptarë, që numëron 4 milionë klikime. Përveç tjerash, të dy remikset u sollën këngëtarëve sukses ndërkombëtar, e të cilat janë renditur në top 100 në lista muzikore nëpër vende të ndryshme në botë.

Të dy DJ-të së fundi kanë publikuar edhe disa remikse të tjera të këngëve shqiptare. Kënga “ Mos m’le me ra” nga Besa Kokëdhima dhe Elinel, gjithashtu vjen në remix, më pas “Në Përvjetor” nga Adelina Emini dhe kënga “Ke pi sonte shumë” nga Yll Limani.

Në anën tjetër, shohim këngë remix të cilat janë realizuar nga vet këngëtarët dhe që janë dëgjuar shumë. Është kënga “Beso” nga 2po2 dhe Elvana, një këngë e pëlqyer shumë, e cila pas një kohe u realizua edhe në remix, që u dëgjua shumë.

Ndërsa remiksi i këngës “5” nga Blero dhe Shkurte Gashi, është një nga versionet më të dëgjuara, i realizuar nga Blero.

Edhe DJ DaLool, është ai i cili ka sjellë remikse të këngëve shqipe. ”Ta boja me drita “ është kënga e Florit, e sjellë në remiks, nga DaLool që është pëlqyer shumë.

Remikset mund të jenë jo shumë të rëndësishme për këngëtarët, por ato përveç që dëgjohen, sjellin edhe sukses ndërkombëtar dhe garantojnë dëgjueshmërinë në diskoteka.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme