Remin: Ramush Haradinaj ngutet dhe bënë deklarata të cilat nuk i beson as vetë se isha “turist” në UÇK

Prishtinë | 27 Kor 2023 | 13:42 | Nga Ekonomia Online

Epiteti i “turistit” në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka befasuar ish-komandantin e Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafën.

Komandant “Remi” në një intervistë për Albanian Post thotë se ndryshe nga Haradinaj, të gjithë bashkëluftëtarët e tij dinë që ishte pjesëmarrës në luftë që nga dita e parë.

Ai mendon se të diskutohet për këtë temë “është absurditet”, teksa shprehet i bindur se kreu i AAK-së kësaj deklarate nuk i beson as vetë.

“Nuk dua të spekuloj se pse ai (Ramush Haradinaj) ngutet dhe bënë deklarata te cilat nuk i beson as ai vetë. Unë konsideroj që të diskutojmë në këtë temë është një absurditet, pjesëmarrja ime në luftën për çlirimin e Kosovës krahas UÇK, është pa diskutim pjesa më e rëndësishme e jetës time dhe nuk mund ta zhbëjë askush”, tha Mustafa.

Mustafa që është jurist me profesion, ka folur edhe për mos përfshirjen veteranëve të UÇK-së në Ligjin për Pagën Minimale, teksa është shprehur i bindur që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do t’i jap epilog kësaj çështje.

“Nuk është as e ndershme, e as e drejtë që një luftëtari të vërtetë t’i nëpërkëmbët dinjiteti. Sapo të rregullohen evidencat, veteranët e vërtetë besoj do të kompensohen që nga dita kur ligji për pagën minimale do të ketë hyrë në fuqi”, u shpreh ai.

Po ashtu “Remi” për katër ditë me radhë ka dëshmuar këtë muaj në Gjykatën Speciale ku po gjykohen ish-krerët e UÇK-së për krime lufte.

Thotë se “dëshmova duke shpalosur vetëm të vërtetën”.

“Ndonëse me profesion jam jurist, mund të nuhasë që gjithçka është sajim, trillim dhe në konkluzion kjo gjykatë do të mbyllet e turpëruar ngase nuk ka asnjë element dhe asnjë provë që ka të bëjë me akuzat e raportit të Senatorit Dick Marty mbi trafikimin e organeve apo krimeve të pretenduara që kinse ka bërë UÇK-ja”.

Mustafa bisedën e shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me kriminelin që udhëheqë bandat në Veri, Milan Radojiçiç, nuk e sheh “si tradhti kombëtare”.

“Zonja Kusari, por edhe kush do që zgjatë dorën e integrimit me të gjitha komunitetet duke përfshi edhe komunitetin serb, duhet përshëndetur e jo persekutuar”.

Intervista e plotë me Rrustem Mustafën:

Albanian Post: Keni qenë në cilësinë e dëshmitarit në Hagë në Gjykatën Speciale në rastin kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve. A keni një koment për gjithë eksperiencën tuaj si dëshmitar atje, apo ju pamundësohet të komentoni këtë zhvillim, meqë ende vazhdon si proces?

Rrustem Mustafa: Më vjen shumë keq që në bankën e të akuzuarve janë njerëzit që janë sinonim i luftës, fitoreve, sinonim i paqes dhe i shtetëndërtimit.

Unë dëshmova duke shpalosur vetëm të vërtetën dhe nëse thuhet e vërteta, pa dyshim që e drejta do të triumfojë dhe ata me të cilët sollëm së bashku lirinë do të kthehen të lirë në Kosovën për të cilën sakrifikuan, punuan e luftuan.

Ndonëse me profesion jam jurist, mund të nuhasë që gjithçka është sajim, trillim dhe në konkluzion kjo gjykatë do të mbyllet e turpëruar ngase nuk ka asnjë element dhe asnjë provë që ka të bëjë me akuzat e raportit të Senatorit Dick Marty mbi trafikimin e organeve apo krimeve të pretenduara që kinse ka bërë UÇK-ja.

Unë në bazë të asaj që e shoh, kjo gjykatë është e sponsorizuar nga Rusia dhe Serbia e që për fatin tonë të keq, gjeti edhe përkrahjen e perëndimorëve të cilët ushtruan një presion të jashtëzakonshëm mbi deputetët, duke mundësuar që kjo gjykatë të pajiset me juridiksion nga Parlamenti i Republikës së Kosovës.

Shokët që janë në Hagë, nuk ia kishin frikën as atëherë e as tani kësaj Gjykate, sepse UÇK ka bërë një luftë të drejtë kundër një okupatori gjenocidal, i cili shkaktoj disa luftëra brenda hapësirës së ish-Jugosllavisë duke shkaktuar viktima të shumta, sidomos në popullsinë civile. Se neve kishim të drejtën në anën tonë, flasin vetë rrethanat që përcollën Kosovën që nga lufta e deri më sot, dhe atë, mbështetja e botës demokratike në luftën tonë për liri dhe mbështetja e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt bërjes shtet.

Albanain Post: Aktualisht është në diskutim pensioni i veteranëve, i cili po shkëputet nga paga minimale dhe po mbetet shumë edhe nën pagën minimale. Në anën tjetër, Qeveria nuk është se po bën një ligj të ri që i rritë të ardhurat e veteranëve e as nuk po e zbaton këtë aktualin madje. Siç e dini, ligji për veteranët parasheh edhe shumë beneficione të tjera, siç është sigurimi i strehës për veteranët, përkujdes shëndetësor i tyre, kur ka nevojë edhe jashtë vendit, qendra për rehabilitim për ata që kanë nevojë etj. Asnjë nga këto s’janë funksionale aktualisht. Përse po mendoni se qeveria po refuzon ta zbatojë ligjin që është në fuqi e as nuk po e sjellë një tjetër?

Rrustem Mustafa: Veteranët e luftës,  invalidët dhe familjet e dëshmorëve janë kategori e veçantë në shoqëri dhe si të tilla duhet respektuar edhe me ligj.

Se pse nuk janë të përfshirë në ligjin për pagën minimale dhe beneficione , sigurisht qëndron në atë që qeveria është duke punuar në verifikimin dhe evidentimin e atyre që mund të kenë përfituar statusin e veteranit në mënyrë të kundër ligjshme.

Jam i bindur që kryeministri Kurti shumë shpejt do ti jap zgjidhje kësaj çështje dhe jam i sigurt që këto kategori shoqërore të dala nga lufta do të trajtohen me dinjitet bile edhe mbi pagën minimale. Nuk është as e ndershme, e as e drejtë që një luftëtari të vërtetë ti nëpërkëmbët dinjiteti.

Sapo të rregullohen evidencat, veteranët e vërtetë  bespoj do të kompensohen që nga dita kur ligji për pagën minimale do të ketë hyrë në fuqi.  Ky proces mund të zgjasë me muaj por që veterani i vërtetë duhet të ketë durim ngase edhe pritja e tij do të kompensohet.

Albanian Post: Ramush Haradinaj së fundi, por ka ndodhur edhe më parë, ka diskutuar për kontributin e individëve të caktuar në luftë, përfshirë edhe kontributin tuaj. Në çfarë funksioni bëhen këto deklarime tash, në këtë moment, përse diskutohet kështu nëpër studio televizive duke matur si me peshore kontributin e njërit e tjetrit komandant?

Rrustem Mustafa: Unë në luftë kam qenë që nga ditët e para, dhe këtë e dinë të gjithë bashkëluftëtarët. Së bashku me Zahir Pajazitin, kemi qenë pjesë e aksioneve mbi milicinë e ushtrinë serbe të asaj kohe. Nuk dua të spekuloj se pse ai (Ramush Haradinaj) ngutet dhe bënë deklarata te cilat nuk i beson as ai vetë. Unë konsideroj që të diskutojmë në këtë temë është një absurditet, pjesëmarrja ime në luftën për çlirimin e Kosovës krahas UÇK, është pa diskutim pjesa më e rëndësishme e jetës time dhe nuk mund ta zhbëjë askush.

Albanain Post: Mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve ka vendosur që të mbrohet në atë mënyrë duke provuar me doemos që nuk ka ekzistuar një hierarki e qartë e strukturuar brenda UÇK-së me idenë që edhe nëse vërtetohet ndonjë vrasje e caktuar nga dikush brenda strukturës së UÇK-së, të mos mund të dëshmohet se ajo erdhi si një vendim politik nga lartë poshtë. Por, ky lloj tregimi, po vë në diskutim pastaj edhe vetë forcën e UÇK-së si ushtri e organizuar që mundësoi çlirimin e Kosovës. A mendoni se ky lloj shpjegimi mbase mund t’i lirojë krerët e luftës, por dëmton tregimin e përgjithshëm për lavdinë e UÇK-së?

Rrustem Mustafa: Besoj që do të ketë epilog lirues për shokët që janë në Hagë. UÇK u formua si përgjigje ndaj politikave represive që po ushtronte aparati shtetëror serb mbi popullatën shqiptare ne Kosove. Pra ky organizim, kishte një rrjedhë të zhvillimit, duke u rritur në mënyrë progresive nga disa grupe njerëzish dhe duke u formësuar sipas rrethanave dhe nevojave të kohës,

UÇK nuk ka pasur të trashëguar as armatim e as kazerma ushtarake, madje as shtabe lufte. Shtabet kanë qenë të improvizuara nëpër shtëpi private dhe UÇK ishte brenda popullit dhe nuk ka pasur organizim të rregullt ushtarak ashtu sikur bëhen në ushtritë e rregullta botërore.

Luftën e filluam, jo pse ne e deshëm por që na u imponua. Me luftë nuk humbnim asgjë përveç robërisë por fitonim gjithçka, e mbi të gjitha fituam lirinë. Rrethanat  mbi të cilat është zhvilluar lufta kanë qenë tej-njerëzore por duke e parë kauzën tonë të drejtë, bashkësia ndërkombëtare e në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO, u rreshtuan krahë nesh dhe bashkë me këta aleatë dëbuam makinerinë vrastare serbe që terrorizonte, vriste e shkatërronte pamëshirshëm gjithandej Kosovës.

Mbrojtja ka të drejtë në versionin e vetë, sepse duke qenë një ushtri që krahas luftimeve të ashpra gjithashtu po mundohej të organizohej, për një luftë më efikase, shtabi i përgjithshëm nuk arriti të vendoste në punë të gjitha mekanizmat e saj. UÇK, kishte mision të luftonte policinë e ushtrinë kriminale të Millosheviçit e jo popullatën civile të cilës do etni.

Thjeshtë detyrat e shtabit të përgjithshëm kanë qenë koordinimi, aq sa mund të bëhej ne rrethanat e kohës dhe mundësive që ofronte tereni, një koordinim po ashtu edhe me faktorin ndërkombëtar në veçanti me NATO-në dhe SHBA-të, si dhe furnizimi i zonave me logjistikë e armatime të nevojshme.

Po them në cilësinë e Komandantit të Zonës Operative të Llapit, lufta dhe mbarëvajtja e saj është përgjegjësi e Zonës në të cilën kemi vepruar. Siç e kam potencuar edhe në të kaluarën por edhe në dëshminë time në Hagë, ushtarët e mi kanë zbatuar urdhërat e mia dhe përgjegjësinë për këta urdhëra e marr unë dhe ndihem shumë krenarë që si rezultat i këtyre urdhrave jo vetëm zona e Llapit por e tërë Kosova sot është e lirë dhe sot kemi shtetin tonë Kosovën.

Albanian Post: Cili është opinioni juaj për bisedën e shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me kriminelin që udhëheqë bandat në Veri, Milan Radojiçiç. Besoni ju se komentet e saj dhe diskutimi edhe me Slavo Simiç për veteranët e luftës, në çfarëdo konteksti qoftë ajo bisedë, duhet të rezultoi me shkarkimin e saj, apo jo?

Rrustem Mustafa: Nuk dua të lëshohem në komente ndjellakeqe, unë në të kalburën kam qenë pjesë e parlamentit të Kosovës madje edhe kam udhëhequr komisionin për siguri. Në secilin komision kanë qenë të përfshirë të gjitha komunitetet duke përfshirë edhe komunitetin serb. Komunitetet jo shumicë duke përfshi edhe komunitetin serb duhet trajtuar si pjesë integrale të shoqërisë madje edhe si aset shtetëror. Askush nuk bënë tradhti kombëtare nëse e zgjat dorën e integrimit të tyre brenda shtetit dhe shoqërisë Kosovare.

Mos harroni që bashkësia ndërkombëtare ka investuar por edhe ne kemi luftuar për një Kosovë multietnike ku të gjitha komunitetet duhet të gëzojnë të drejta të barabarta në shoqëri e përfaqësim. Ne e dimë më së miri se çfarë është të diskrimininohesh, dukuri kundër të cilave kemi luftuar.

Zonja Kusari, por edhe kush do që zgjatë dorën e integrimit me të gjitha komunitetet duke përfshi edhe komunitetin serb, duhet përshëndetur e jo persekutuar.

Kosova dhe e ardhmja e saj do të jetë në rrugën e duhur për në Evropë, vetëm nëse respektohen të drejtat dhe liritë e njeriut duke përfshi edhe komunitetet tjera pakicë. Vetëm në këtë mënyrë Evropa dhe perëndimi na i hapë dyert e integrimit dhe bashkimit në familjen e madhe të Evropës.

Të ngjashme