Me 49 vota për, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur komisionere parlamentare për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Remzie Zeqirajn. Zgjedhja e saj u bë pas dy raundeve të votimit, ndërkaq Fadil Hadergjonaj mori 43 vota, raporton Ekonomia Online.
Mandati i komisioneres parlamentare është pesëvjeçar.
Kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha njoftoi për kandidatët e propozuar nga komisioni funksional.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi ka prezantuar numrin e votave për secilin kandidat për komision parlamentar të FSK-së.