Nuk jeni të vetëm nëse gjatë pandemisë keni hasur në probleme për të bërë gjumë të mirë të natës. Derisa pagjumësia e kohëpaskohshme nuk është ndonjë problem i madh, kalimi i shumë netëve pa bërë gjumë të plotë dhe të shëndetshëm mund të krijojë probleme në shëndetin tuaj fizik dhe mendor.
Prandaj është shumë e rëndësishme të flini mirë dhe rregullisht.
Shkencërisht është vërtetuar se aftësia jonë për t’i përmbushur detyrat më të thjeshta ditore, për të qëndruar të shëndetshëm dhe për të ndërmarrë vendime të mira, përmirësohet dukshëm kur bëjmë gjumë të mirë.
Derisa jemi në gjumë të natës trupi ynë prodhon hormone të cilat i luftojnë infeksionet dhe pezmatimet e ndryshme, si dhe ia mundësojnë zemrës sonë të pushojë, transmeton Koha.
Dhe si mund ta përmirësojmë kualitetin e gjumit të natës?
Gjëja e parë që duhet bërë, është ta kuptoni rëndësinë e melatoninës, hormoni të cilin truri ynë e prodhon. Gjatë ditës, ne kemi prodhimtari të ulët të këtij hormoni, por gjatë natës kjo sasi shtohet dukshëm, çka edhe e bënë trupin tonë të ndihet i lodhur. Disa faktorë tjerë që e paralajmërojnë trurin se është afër kohës së gjumit janë dritat e zbehta në ambientin ku qëndrojmë, temperaturat e ulëta dhe aktivitetet qetësuese.
Ngase drita e kaltër, e cila lëshohet nga ekrani i televizorit, kompjuterit dhe telefonit, e mashtron trupin tonë për të menduar se është ditë dhe kështu e zvogëlon prodhimin e melatoninës, preferohet që gjatë natës t’i shfrytëzojmë pajisjet elektronike sa më pak.
Por, nëse jeni duke praktikuar metoda të shëndosha për një gjym të mirë, por sërish keni problem të flini gjatë natës, atëherë është koha që ta konsideroni përdorimin e disa ushqimeve të caktuara ose suplementeve natyrore.
Një frutë i zakonshëm dhe i shijshëm që ndihmon në përmirësimin e kualitetit të gjumit është edhe qershia. Përveç që janë të mbushura me antioksidantë, qershitë ju ndihmojnë të flini më mirë. Pra, si ushqim para gjumit është mirë t’i zgjidhni qershitë pasi ato bëjnë ndryshime të dukshme mes pagjumësisë dhe një gjumi të thellë. Qershitë po ashtu janë një nga burimet e vetme natyrore të melatoninës.
Edhe rrushi përmban sasi të këtij kemikali, por në sasi më të ulët dhe kështu duhet konsumuar shumë rrush për ta përmbushur normën e nevojshme.
Një tjetër frutë i propozuar për një gjumë më të mirë është banania. Kaliumi dhe magnezi janë relaksues natyral të muskujve, dhe banania është burim i mirë e tyre.
Dhe në fund ekspertët sugjerojnë të konsumoni qumësht të ngrohtë para gjumit, për ta ndihmuar turpin tuaj të qetësohet. Qumështi po ashtu është i mbushur me kalcium dhe minerale tjera të cilët njihen se kanë efekt relaksues të njeriu.