Instituti për sëmundje ngjitëse “Robert Koch” raportoi se 149 persona kanë vdekur dhe 5453 janë infektuar me koronavirus gjatë 24 orëve të fundit në Gjermani.
Kështu, numri i përgjithshëm i të infektuarve shkoi në 67 mijë e 366 persona, ndërsa numri i të vdekurve në 732, shkruan “Reuters”.
Gjermania është një ndër shtetet me shifrën më të lartë të të prekurve nga koronavirusi në Evropë. Megjithatë, numri i viktimave në këtë shtet vazhdon të mbetet i ulët si përqindje në krahasim me shifrën e të infektuarve dhe në krahasim me shkallën e vdekshmërisë në disa vende tjera.
Më shumë viktima nga koronavirusi në Evropë janë shënuar në Itali, Spanjë dhe Francë. Italia dhe Spanja dje i shënuan mbi 800 viktima secila.
Virusi Covid-19 së pari u shfaq në Kinë në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa tash është përhapur në rreth 180 shtete e territore të botës.
Deri më tani, mbi 42 mijë njerëz kanë vdekur dhe më shumë se 860 mijë janë infektuar me këtë virus në mbarë botën.