Rëndohet gjendja në Libi, arrijnë qindra mercenarë nga Sudani

Prishtinë | 24 Dhj 2019 | 09:02 | Nga Ekonomia Online

Një valë e re mercenarësh nga Sudani ka arritur në Libi për të luftuar kundër qeverisë së njohur nga komunitet ndërkombëtar. Ardhja e tyre i ka shtuar shqetësimet për daljen nga kontrolli të konfliktit të armatosur në këtë shtet të Afrikës Veriore.

Udhëheqësit e dy grupeve të ndryshme të luftëtarëve sudanezë në Libi i thanë gazetës “The Guardian” se kanë pranuar qindra mercenarë të rinj në muajt e fundit. Të dyja grupet po luftojnë në mbështetje të Ushtrisë Kombëtare Libiane, të udhëhequr nga gjenerali Khalifa Haftar, kundër qeverisë së njohur nga komuniteti ndërkombëtar.

“Shumë burra të rinj janë duke ardhur. Ne madje nuk kemi kapacitete për t’i akomoduar të gjithë personat që po vijnë”, tha një komandant i këtyre grupeve, i vendosur në pjesën jugore të Libisë.

Ai tha se në Libi tash për tash janë duke luftuar së paku tre mijë mercenarë sudanezë. Kjo shifër është shumë më e madhe se numrat që ishin publikuar më parë.

Kombet e Bashkuara kanë deklaruar më parë se ndërhyrja e luftëtarëve nga Sudani në Libi është kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e vendit të rrënuar nga lufta. Në raportin me 376 faqe, të hartuar nga një grup i ekspertëve të kësaj organizate, thuhet se prania e këtyre luftëtarëve mund të sjellë mungesë stabiliteti në Libi.

Gjendja e sigurisë në Libi ka qenë e brishtë që nga lufta civile e vitit 2011, kur ishte rrëzuar nga pushteti diktatori Muammar Gaddafi. Pas tollovisë së krijuar, vendi ishte përçarë, me një qeveri të dobët në Tripoli dhe një rival në lindje të shtetit. Secili grup mbështetet nga disa grupe militante dhe qeveri të huaja, shkruan “The Guardian”, transmeton Express.

Përderisa ushtria e gjeneralit Haftar përkrahet nga Franca, Rusia, Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, qeveria me bazë në Tripoli mbështetet nga Italia, Turqia dhe Katari

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme