Në korrik të vitit 2015, pak njerëz kanë mundur ta paramendonin sesi do të përfundonte lidhja e Arda Turanit me Barcelonën.
Futbollisti turk iu bashkua Barcelona nga Atletico Madridi për 34 milionë euro dhe sot, më 30 qershor, kontrata e tij pesëvjeçari mbaron, transmeton Gazeta Express.
Turan kishte shkëlqyer për katër vite të plota në fanellën e Atleticos, duke i zhvilluar 178 ndeshje për klubin dhe duke e fituar La Ligën, Ligën e Evropës, Superkupën e Evropës dhe Superkupën e Spanjës.
Megjithatë, ai e nisi keq karrierën në Barcelonë, sepse, bashkë me Aleix Vidal, i cili iu bashkua Barçës atë verë po ashtu, nuk kishin të drejtë të luanin për katalonasit deri në janar të vitit 206 për shkak të një dënimi që FIFA ia kishte shqiptuar klubit.
Në fund, koha e Turanit në Camp Nou përfundoi me vetëm 55 ndeshje dhe 15 gola dhe me ngrohje të bankës rezervë.
Kur Ernesto Valverde e zëvendësoi Luis Enriquen në postin e trajnerit në verën e vitit 2017, Turanit iu bë e qartë se ai nuk ishte pjesë e planeve të klubit.
33-vjeçari nuk luajti për ekipin e Valverdes, pasi ndeshja e tij e fundit në fanellën e Barcelonës ishte më 26 prill 2017 në fitoren 7:1 kundër Osasunas, sa ishte Enrique ende trajner.
Turan u largua nga Camp Nou në janar të vitit 2018 dhe iu bashkua Istanbul Basaksehir duke nënshkruar kontratë dyvjeçare e gjysmë.
Ai luajti në Superligën turke deri në janar të këtij viti, kur Basaksehir vendosi t’ia ndërpresë para kohe kontratën e huazimit. Ai i kishte shënuar 2 gola në 30 ndeshje për ekipin nga kryeqyteti turk.
Gjatë kohës në atdhe, Turan i përjetoi disa momente të vështira, si dënimi me dy vjet e tetë muaj burgim për shkrepje të armës në spital dhe gjoba në vlerë 370.000 euro për përleshje në kafene.
Tani, pesë vjet pas kalimit të bujshëm në Camp Nou, lidhja e Arda Turan me Barcelonën mbaron zyrtarisht.