Familja tradicionale kosovare ka rënë edhe si strukturë, edhe si përmbajtje. Kjo shënon “triumfin” e një rrafshi të lirisë individuale, shoqëruar me rreziqet e pasigurisë në botëkuptimet e reja që familjari kosovar i ka para vetes.
Nëse ky konstatim nuk është e vërteta e plotë e asaj çfarë hasim sot në Kosovë, së paku është dukuria e përafërt me të vërtetën kudo përreth nesh. Për një masë kritike, nuk është e lehtë ta konstruktosh si të mirëqenë këtë vlerësim social dhe as ta pranosh lehtë si të tillë. Por megjithatë, familja në formën tradicionale siç ka qenë, sot nuk gjendet ndryshe veçse në dëshirat e ndonjë prindi në moshë, të cilin e mbanë ende iluzioni i dikurshëm i autoritetit të saj.
Përderisa familja edhe sot ekziston si institucion dhe si sferë qendrore e shoqërisë kosovare, në dukje nuk mund të flasim për “rënien” e saj, pa e bërë ndarjen e nevojshme të atyre gjërave të brendshme që tashmë kanë rënë. Pra, çfarë e ka bërë familjen tradicionale të bjerë? Apo më e drejtë do të ishte të pyesim se çfarë ka rënë tashmë brenda familjes tradicionale?
Për ta sqaruar për lexuesin, “rënia” në këtë rast nënkupton humbjen e rëndësisë së konceptit tradicional si vlerë dhe normë dominuese. Pra rënia, nuk nënkupton zhbërjen dhe asgjësimin, por zëvendësimin e një sistemi dhe modeli të familjes tradicionale si dukuri masive, me një sistem dhe model të ri që është duke zënë vend. Për më tepër, me “rënie” nuk është menduar të kritikohet dinamika e familjes në Kosovë, por vërja në pah e një procesi krejt të zakonshëm që është pritur se do të ndodhë në kushtet e reja socio-politike dhe ekonomike që kanë zënë vend pas çlirimit.
Rënia e familjes tradicionale kosovare, manifestohet kryesisht në dy anë themelore: anën strukturore si përbërës, dhe në anën kratike (pushtetin) si raport dhe status. Për ta kuptuar rënien strukturore, duhet të nisemi nga fakti se Kosova ka qenë ndër vendet tipike ku familja si dukuri masive, ka qenë e përbërë nga shumë gjenerata, përfshirë gjyshërit, prindërit dhe fëmijët. Sot, struktura e saj përgjithësisht është e përbërë nga prindërit dhe fëmijët, e në raste të shpeshta, nga prindërit që jetojnë ndarazi nga fëmijët, ndërsa së fundmi është bërë e zakonshme të shohim edhe familje bërthamë të përbëra nga vetëm njëri prind me fëmijët, kryesisht nënat e ndara.
Pra sa i përket strukturës familjare, ajo çfarë në familjen tradicionale ishte modë, tashmë është pothuajse e rrallë dhe ajo çfarë dikur ishte pothuajse tabu, tashmë është bërë modë. Pikërisht në ndryshimin që ka ndodhur në strukturën familjare, ne mund të gjejmë themelin e rrënimit të konceptit tradicional dhe lindjen e një koncepti të ri. Bashkë me ndryshimin strukturor, ka ndryshuar edhe ana përmbajtjesore që korrespondon me strukturën: pushteti si themel i raporteve familjare. Pa dashur të futemi në dimensionin antropologjik, është lehtë e konstatueshme se karakteristika themelore e këtij ndryshimi, është fakti se struktura e re për dallim nga ajo tradicionalja, ka veti tërësisht të kundërta.
Struktura e re familjare në dinamikën e saj është më e pavarur, më ambicioze, më individuale dhe më e përqendruar në arritje, si dhe nuk i nënshtrohet një pushteti qendror, për dallim nga struktura e vjetër që ishte konservatore, e prirur drejt ruajtjes së statusquosë, plotësisht e varur nga ambienti komunitar, e cila nuk shquhej për një vizion progresiv afatgjatë, si dhe që i nënshtrohej një pushteti real e simbolik, hierarkisë së moshës.
Sot pra, familja kosovare është çliruar pothuajse tërësisht nga tradita dhe memoria e saj. Gjërat që dikur kishin kuptim ekzistencial për një familje, përfshirë hierarkinë, nderin, procedurën e konstituimit të miqësisë, martesave e lidhjeve farefisnore, aktualisht janë asgjë më shumë se një anë simbolike e lidhur jo me konstituimin real, por me aftësinë konsumuese të atyre që i stimulojnë ato si të tilla.
Ta zëmë si shembull dasmën. Dikur ajo ishte një akt që shënohej simbolikisht por kishte efekt real në rrafshin e mentalitetit social, sepse e ndante në mënyrë strikte jetën para saj dhe jetën pas saj, ku djali bëhej burrë, ndërsa vajza bëhej grua për të mbetur si të tillë përgjithmonë. Sot, dasma është një simbolikë që shënon vetëm aktin si celebrim, por akti në vetvete është i çliruar nga barra e të kaluarës dhe është i çliruar nga barra e të ardhmes.
Ndryshimi në strukturë si dhe ndryshimi në raportin e marrëdhënieve që diktonte rendi familjar, paraqet lëkundjen e parë në familjen tradicionale kosovare. Por këto dy ndryshime themelore që janë pothuajse të kudondodhshme, kanë pasur një efekt shumë më të thellë në vetëdije, sesa thjesht efekti i rrënimit të strukturës dhe pushtetit hierarkik.
Ka shumë elemente përbërëse të cilat kanë humbur peshën e tyre brenda familjes së dikurshme tradicionale. Së pari ka rënë koncepti i familjes si vendstrehim ideal, përballë agjensve de humanizues që operojnë jashtë saj. Është i njohur fakti se në mendësinë shoqërore të Kosovës, familja gjithmonë ka qenë një vatër e mbrojtjes dhe sigurisë, jo vetëm fizike, por edhe materiale, edhe shpirtërore, edhe sociale. Ajo ishte mbrojtje, jo për shkak të aftësisë mbrojtëse, por për shkak të moralit publik që asocionte me të.
Këtë moral publik, familja e kultivonte përmes dy gjërave themelore:
Së pari, përmes Patrinalitetit apo idesë shoqëruese që e kishte “babain” në qendër të familjes, përmes “qenies” të së cilit, fëmijët dhe çdo individ në familje gëzonte një status, jo vetëm gjatë ekzistencës fizike të “babait” por edhe pas vdekjes së tij.
Së dyti, përmes nderit si koncept autonom e i mveshur me përfytyrim moral dhe cilësi abstrakte, respektimi strikt i të cilave, ndikonte në raportin social dhe vetëvlerësimin e një familje apo grupi familjesh. Kështu, familja ishte burimi themelor i “nderit”, me të cilin individi kishte hapësirë e perspektivë, ndërsa pa të cilin, individi ishte i anatemuar. Vetë sjellja e anëtarëve të familjes ishte e lidhur me këto koncepte abstrakte të nderit, si mënyrë e perceptimit të vetvetes dhe si garanci e pjesëmarrjes në rendin social. Në rrafshin e ndarjes gjinore, tradicionalja e poziciononte babain si gjeneruesin e ekzistencës së familjes si sferë, pikëpamje kjo tepër e kufizuar ndaj rolit të vërtetë që kanë pasur gratë dhe nënat në sferën familjare.
Pra, patrinalizmi dhe abstraksionet etike siç është nderi, ishin dy gjëra bazë për ta ndërtuar imazhin e një familje në dinamikën e saj të përditshme. Rënia e konceptit të patrinalitetit dhe nderit si themele të familjes tradicionale, ka prodhuar një shkundje në vetë kulturën sociale të shoqërisë kosovare. Interpretimi që mund t’i bëhet kësaj shkundje ka dy anë qendrore, varësisht çfarë gjejnë njerëzit më të përafërt me mënyrën e tyre të të menduarit të botës. Këto dy anë përfshijnë konstatimet si në vijim: shkundja ishe e dëmshme për shkak se cenoi atribute dhe autoritete themelore familjare, ose ajo ishte e dobishme sepse çliroi një varg mundësish para individëve dhe gjinive, duke ua dhënë edhe mundësinë vetanake secilit, për të konservuar lirshëm atë që besohej se ja vlente për ta konservuar.
Megjithatë, rënia e këtyre elementeve konstitutive të familjes tradicionale në Kosovë, është shoqëruar edhe më një veçori përcjellëse, emergjencën e një lloji të ri të familjes. Pra ndryshimi që ndodhi, e rrëzoi konceptin e botëkuptimit kulturor-strukturor-statusor, dhe solli në skenë botëkuptimin material-institucional-civil. Ky ndryshim i ka shpjegimet e veta përkatëse.
Në familjen tradicionale kosovare, forca drejtuese e dinamikës së saj bazohej në një botëkuptim që e shihte botën si diçka që përbëhej nga njerëzit, përfshirë fqinjët, miqtë dhe lidhjet familjare, ndërveprimi i të cilëve shtrihej rreth ideve që karakterizojnë vetitë sociale e kulturore të tyre.
Pra kishim të bënim me një ide për njerëzit, për të mirët dhe të ligët, për të ndershmit dhe të pandershmit, për besnikët dhe të pabesët, për miqtë dhe jabanxhinjtë, rreth të cilëve sillej i tërë veprimi social e familjar. Mbi këtë pikëpamje, gjërat familjare kishin drejtimin e vet të prerë dhe pothuajse të paracaktuar. Për shembull, martesa lidhej mes atyre që ndanin vetitë e përbashkëta: mes të pasurve me të pasurit, të njohurve me të njohurit, e në planin gjeografik, zonave urbane brenda vetës e zonave rurale ndërmjet vetes, etj.
Kjo mënyrë e të korresponduarit me të tjerët mbi bazën e ideve mbi vetitë e përbashkëta, përbënte themelin e statuseve shoqërore që formoheshin rreth familjes. Madje në këtë drejtim, familja tradicionale kishte një dinamikë autonome të rritjes dhe zhvillimit. Për dallim nga shumë kultura lindore dhe perëndimore, në Kosovë familja ishte e çliruar në masë të madhe edhe nga ndikimi i shtetit si sferë, edhe nga ndikimi i religjionit si sferë. Ana ideacionale dhe kulturore e saj, ishte vetëdija dalluese e vetive sociale. Ana strukturore e saj, ishte përputhja e vetive të ngjashme në një strukturë organike. Ana statusore e saj, ishte siguria dhe vijimësia e traditës.
Për dallim nga kjo, në familjen e re materiale-institucionale-civile që tashmë po lindë kudo përreth nesh, bota përbëhet jo më nga njerëzit, por nga faktorët. Kështu, forcat drejtuese të familjes së re, janë agjensët ekonomik, institucionet, agjensët kulturor dhe ata material, të parë nga një këndvështrim civil.
Pra, janë këto gjëra të domosdoshme për të mundësuar rrugëtimin e sigurt social, ekonomik e kulturor të familjes së re, të cilat sot kanë zënë vend qendror në dinamikën e saj, duke i spostuar në periferi vetë njerëzit dhe lidhjet organike familjare. Në modelin e ri që ka zënë rrënje, kategoritë qendrore që zëjnë vend, përfshijnë pronën dhe pasurinë, edukimin dhe emancipimin, hapjen ndaj vlerave universale, përqendrimin në urbanosferë dhe suksesin individual në karrierë.
Ana materiale e familjes së re, ka të bëjë me posedimin si domosdoshmëri për materializim. Ana institucionale e saj, ka të bëjë me ndikimin e institucioneve formale e jo formale në konceptimin e “qenies” në kohë dhe hapësirë, përfshirë shkollën, punën, qeverisjen, drejtësinë civile dhe penale, si dhe ligjin si instrument i baraspeshës, të gjitha këto që kanë zëvendësuar “nderin”. Ana civile e saj, ka të bëjë me lirinë si hapësirë, ku individi është i çliruar nga vetitë tradicionale ndaj raportit politik me historinë dhe një orientim i plotë në individin, si njësinë themelore organike të shoqërisë.
Pra për dallim nga tiparet e familjes tradicionale që e mbante njeriun të lidhur me tërësinë, familja e re kultivon mundësinë për t’u nisur për diku, duke shërbyer si një pikënisje që i hapë dyert për pjesëtarët e saj dhe i përgatitë për t’i hedhur në botë. Kështu, familja e sotshme nuk është një familje që mbron individin që thirret në të, por është bërë familje shpërblyese ndaj individit. Ajo i ofron gjërat e nevojshme për jetë, por i anashkalon raportet sociale e tradicionale.
Për dallim nga koncepti tradicional, në familjen e re tashmë nuk është vetëm babai por edhe nëna si kategori e pandashme me entitetin e familjes. Por për dallim nga koncepti tradicional, në familjen e sotshme babai dhe nëna ekzistojnë si prindër në kuadër të “qenies prindërore” dhe nuk janë më “epiqendra” që përcakton dinamikën familjare dhe që orienton jetën e pjesëtarëve të saj.
Për ta kuptuar rënien e botëkuptimit ideacional-kulturor dhe zëvendësimin me këtë material-civil, mjafton të analizojmë zhvillimet që kanë në qendër martesën, si element themelor dhe konstituiv familjar. Martesat që në konceptin tradicional bëheshin në radhë të parë për të mirëmbajtur e kultivuar raporte sociale, ekonomike e politike, sot drejtohen në masë të madhe nga dashuria, një koncept i ri ky për kulturën sociale të shoqërisë kosovare. Fakti se martesa sot drejtohet nga dashuria, së paku si mësymje dhe shpjegim, e zhbën nevojën e ruajtjes së raporteve sociale, ekonomike e politike, pasi që të tillat nuk janë të rëndësishme në një botë ku dashuria është vlera e parë e konceptuar e saj dhe nxitësja kryesore për martesë.
Ky ndryshim, e ka shembur institucionin tradicional të familjes, por njëkohësisht e ka themeluar një familje të re, atë që mirëmbahet pa kushte të jashtme dhe pa vlera të konceptuara. Prandaj familja tradicionale kosovare tashmë është në venitje e sipër dhe emergjenca e modelit të ri familjar është duke u forcuar e marrë formë.
Kjo natyrisht se do ketë ndikim në shumë dimensione qendrore të shoqërisë, përfshirë tejkalimin e narracioneve normative dhe kodeve kulturore, pjekjen e nevojshme të individit për t’u bërë përgjegjës për veprimet e tij sociale, si dhe emancipimin e lirisë natyrore drejt lirisë civile.
Ky ndryshim që po ndodhë para syve tanë, doemos se do të prodhojë ndryshimin në shumë makro sisteme shoqërore, përfshirë sistemin ekonomik, politik dhe shoqëror. Shteti dhe agjensët e tij politik e publik, tashmë do ballafaqohen me familjen e re në ardhje, të cilës i duhen tjera dinamika dhe tjera mundësi e norma.
Se raportet rreth familjes si sferë tashmë kanë pësuar ndryshim, kjo s’ka fare dilemë. Se a është kjo rruga e transformimit të natyrshëm të familjes krahas ndryshimeve përballë të cilave kalojmë me shpejtësi, kjo varet nga çfarë konsiderohet nominalisht më e rëndësishme për një shoqëri dhe kulturën e saj.
Çmimi i lirisë është arratisja nga një pjesë e madhe e traditave dhe normave, por siguria e vijimësisë normative në kushte të lira, është një standard që nuk ndërtohet lehtë, e nëse nuk ndërtohet, atëherë mund të tjetërsojë idenë origjinale dhe mund të lë edhe pasoja. Kjo do të përbëjë sfidën e shoqërisë dhe institucioneve tona edukative e socio-politike në dekadat në vijim.