Rënia e prodhimit të energjisë vë nën presion financat e Shqipërisë

Prishtinë | 25 Maj 2022 | 10:18 | Nga Ekonomia Online

Prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri në tremujorin e parë të 2022 u ul me 39.7 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke e detyruar vendin të shtatëfishoj importet e energjisë, treguan të dhënat nga zyra e statistikave INSTAT.

Shqipëria prodhon pothuajse të gjithë energjinë e saj elektrike nga hidrocentralet, me varësi të lartë nga reshjet.

Kur prodhimi i energjisë është i ulët, vendi duhet të importojë energji elektrike, gjë që ishte veçanërisht problematike në fillim të vitit 2022, kur pushtimi rus i Ukrainës rezultoi në një rritje të çmimeve të energjisë nëtregjet ndërkombëtare.

Prodhimi i brendshëm neto i energjisë elektrike në vend ishte 2,016 GWh në janar-mas 2022, nga 3,344 GWh një vit më parë.

Hidrocentralet publike mundësuan 52.8 për qind të prodhimit vendas neto, ndërkohë që prodhuesit e pavarur të hidrocentraleve prodhuan 46.7 për qind të energjisë.

Ndërkohë që Shqipëria po kërkon të diversifikojë prodhimin e saj të energjisë elektrike, duke përfshirë investimet në energjinë diellore, prodhuesit fotovoltaikë përbënin vetëm 0.5% të prodhimit të brendshëm neto të energjisë elektrike gjatë tremujorit.

Ndërkohë, importet bruto të energjisë elektrike u rritën në 715 GWh nga vetëm 99 GWh një vit më parë.

Eksportet bruto ranë në 373 GWh nga 1,147 GWh në tremujorin e partë të 2021.

Institucionet financiare ndërkombëtare kanë paralajmëruar se importet e kushtueshme të energjisë elektrike do të rëndojnë mbi financat publike të Shqipërisë këtë vit.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim tha në fillim të këtij muaji se vendi është veçanërisht i ekspozuar ndaj çmimeve të larta të energjisë elektrike dhe llogaritë e saj fiskale tashmë po ndjejnë ndikimin e krizës energjetike.

Qeveria është gjithashtu nën presion për të mbështetur familjet në një kohë që ka rritje të çmimeve dhe frikës nga mungesa e ushqimit, thuhet në një raport të BERZH.

Në anën tjetër, Komisioni Evropian paralajmëroi në parashikimin e tij të pranverës 2022, se investimet publike, duke përfshirë rindërtimin pas tërmetit të 2019, do të pakësohen nga nevoja për të riorientuar shpenzimet për të subvencionuar energjinë elektrike dhe karburantin dhe për të rritur mbështetjen sociale.

Ndërkohë edhe stadi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) që vizitoi Shqipërine më 12-19 maj u shpreh se situata në tregjet globale të energjisë ka rënduar më tej barrën fiskale që rrjedh nga sektori i energjisë elektrike.

Për të lehtësuar këtë barrë, FMN bëri thirrje për reforma vendimtare për të rivendosur qëndrueshmërinë financiare të ndërmarrjeve shtetërore, si dhe rregullime graduale të tarifave.

Fondi rekomandoi gjithashtu mbështetje të përkohshme, të synuar mirë për të ndihmuar të varfërit dhe të pambrojturit të menaxhojnë ndërsa çmimet rriten.

Të ngjashme