Tory Lanez akuzohet që ka qëlluar me armë Megan Thee Stallion.
Reperi – emri i vërtetë i të cilit është Daystar Peterson – akuzohet se e ka qëlluar disa herë në këmbë dhe e ka plagosur atë, transmeton KOHA.
Sipas prokurorisë, kjo ndodhi pasi dyshja filluan të grinden përderisa kanë qenë në një veturë në Hollywood Hills më 12 korrik.
Tory Lanez, që është 28-vjeçar, gjithashtu akuzohet për posedimin e një arme të paregjistruar në një makinë.
Nëse artisti kanadez dënohet, do të ballafaqohet me 23 vjet burgim. Dëgjimi gjyqësor do të fillojë më 13 tetor në Foltz Criminal Justice Centre më Los Angeles.
Së pari Megan, emri i vërtetë i së cilës është Megan Jovon Ruth Pete, deklaroi se ishte prerë me xham, por më vonë ajo tregoi në aplikacionin Instagram se ajo ishte qëlluar nga Tory.
24-vjeçarja, gjithashtu, deklaroi se ishte e frikësuar që policia do të fillonte të gjuante me armë nëse do të tregonte se edhe një armë ishte e përfshirë aty.
“Nuk i tregova asgjë policisë për shkak se nuk doja të futeshim edhe më shumë në telashe sesa që ishim”. Që nga incidenti, Megani akuzoi ekipin e Toryt që ka shpërndarë keqinformime online.
“Mos u sillni më sikur gratë me ngjyrë janë agresive, kur krejt çka janë duke bërë është se po flasin…me fakte, dhe ju… nuk mund ta përballoni këtë”, tha ajo.
Ajo tregoi se është quajtur “snitch” (“spiune”) online – dhe gjithashtu mohoi akuzat se ajo e kishte goditur Tory Lanezin para qëllimit me armë.