Nuk ka kaluar pa replika diskutimi për Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2025, ndërmjet deputetëve të opozitës e pozitës në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, raporton Ekonomia Online.
Në këtë Komision ku po diskutohen ndarjet buxhetore për vitin 2025 për institucionet e pavarura, deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku pati replika me deputetët e VV-së, Valon Ramadanin e Besim Muzaqin.
Deputeti i VV-së Valon Ramadani, ka thënë se qeveria aktuale ka realizuar premtime e dhëna dhe se sipas parashikimeve kjo qeveri do të udhëheq edhe për një mandat.
“Është hera e parë që një qeveri premtimet e veta që i jep në fushata i dërgon deri në fund mandatit edhe shihen cilat janë premtimet që janë dhënë edhe cilat realizohen. Është shumë mirë si standard, mendoj që ky standard duhet me të vazhdojë e jo çdo dy vite të shkohet në zgjedhje. Qytetarët kanë me vendos, kanë me votuar, unë e shohë që qytetarët nuk kanë ndryshim, pra dhe fjalën që ma thonë ata është që edhe një mandat e keni”, ka thënë Ramadani.
E deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku, tha se kjo qeveri me përfundim të mandatit të saj është edhe duke treguar fytyrën e saj të vërtet.
“Është shumë e rëndësishme që secila qeveri të shkojë në fund të mandatit që të shihet fytyra e vërtetë secilës qeveri”, ka thënë ai. .
Deputeti i VV-së, Besim Muzaqi, ka thënë vetëm qeveritë e drejta dhe të mira meritojnë që të përfundoj mandarin deri në fund, sipas tij, jo ato qeveritë që janë të dëmshme dhe anti kushtetuese.
“Mendoj që meritojnë që të dërgojnë mandatin deri në fund qeveritë e drejta dhe të mira dhe jo qeveritë e dëmshme e sidomos ato antikushtetuese”, ka thënë ai.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar përsëri deputeti Lushtaku, i cili ka thënë se qeveria Kurti është qeveri që ka rekord në shkelje të Kushtetutës.
“Kush e ka shkelur më shumë Kushtetutën. Në aspektin rekord është shkelje kushtetuese që më së shumti ka bërë kjo qeveri”, ka thënë ai.