Këtë vit janë vrarë 54 gazetarë në botë, teksa kanë qenë duke kryer punën e tyre, apo për shkak të profesionit, është thënë në raportin vjetor të organizatës ndërkombëtare, Reporterët pa Kufij, të publikuar të enjten.
Sipas organizatës, ushtria izraelite është përgjegjëse për vdekjet e 18 gazetarëve këtë vit – 16 në Gazë dhe dy në Liban.
Sipas raportit, territori palestinez është më i rrezikshmi për gazetarët, pasi atje është regjistruar shifra më e lartë e gazetarëve të vrarë në pesë vjetët e fundit.
Organizata ka thënë se ka dërguar katër kallëzime në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për “krimet e luftës të kryera kundër gazetarëve nga ana e ushtrisë izraelite”.
Sipas saj, “më shumë se 145” gazetarë janë vrarë nga ushtria izraelite në Gazë, prej nisjes së luftës, në tetor të vitit 2023, dhe që 35 prej tyre kanë qenë duke punuar në kohën kur janë vrarë.
Organizata e ka përshkruar numrin e vrasjeve si “gjakderdhje të pashembullt”.
Në një raport ndaras, Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) ka thënë se 104 gazetarë janë vrarë më 2024, më shumë se gjysma e tyre në Gazë.
Shifrat e dy organizatave dallojnë, sepse ato kanë përdorur metodologji të ndryshme për t’i kalkuluar vrasjet.
Reporterët pa Kufij kanë përfshirë në listë vetëm gazetarët, për të cilët është vërtetur se vdekja e tyre është lidhur me aktivitetin profesional.
Izraeli ka mohuar të ketë vrarë me qëllim gazetarët, por e ka pranuar se disa mund të jenë vrarë si pasojë e sulmeve ajrore.
Pas Gazës, vendi më vdekjeprurës për gazetarët më 2024 ka qenë Pakistani, më pas Bangladeshi dhe Meksika.
Deri më 1 dhjetor, 550 gazetarë janë nëpër burgje në botë, sipas Reporterëve pa Kufij.
Tri shtetet me numrin më të madh të gazetarëve të burgosur janë Kina, Mianmari dhe Izraeli.REL