Organizata Reporterët Pa Kufij ka publikuar sot Indeksin e Lirisë së Shtypit Botëror, që e rendit Kosovën në vendin e 61-të, për dallim prej vitit të kaluar që ishte në pozitën e 78-të.
Në njoftimin e AGK thuhet se derisa ky është një zhvillim i mirëseardhur, Kosova vazhon të mbetet në kategorinë e “vendeve problematike”, sipas kësaj organizate.
Raporti e konsideron skenën mediale të Kosovës si diverse, dhe lavdëron procesin e përzgjedhjes së Bordit të RTK-së nga Kuvendi i Kosovës, vitin e kaluar. Por, raporti liston një sërë shqetësimesh.
“Edhe pse profesioni i gazetarit gëzon respekt në shoqëri, mediat e pavarura dhe gazetarët investigativë janë shpesh viktima të fyerjeve dhe lajmeve të rrejshme në mediat sociale, dhe shpesh akuzohen në mënyrë të padrejtë si ‘bashkëpunëtorë të armikut’. Kjo retorikë përdoret nga grupet politike dhe religjioze”, thuhet në raport.
Raporti gjithashtu kritikon kufizimin e qasjes së gazetarëve në dokumente publike.
“Gazetarët po targetohen së fundi me shumë padi SLAPP që inicohen nga grupe të biznesit dhe politikanë. Për më tepër, qasja në informacionin publik vëshitrësohet nga disfunksionalizimi i Agjecnisë për Informata dhe Privatësi. Ligji për Autorësinë nuk aplikohet në praktikë”, nënvizon raporti.
Në njoftimin e AGK thuhet se një pjesë e raportit u referohet vështirësive financiare të mediave, sidomos atyre të komuniteteve pakicë.