Parlamenti çek ka votuar në favor të zgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme të vendit për shkak të pandemisë edhe me dy javë të tjera.
Dhe tani, një vendim i tillë është në fuqi deri më 11 prill, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Kryeministri Andrej Babis tha se kishte shpresë se ky mund të ishte bllokimi i fundit, ndërsa bëri gjithashtu një thirrje për njerëzit që të jenë të durueshëm.
Gjendja e jashtëzakonshme i jep qeverisë kompetenca shtesë dhe i mundëson asaj të pezullojë të drejtat themelore.
Sipas medieve të huaja, njerëzit në Republikën Çeke aktualisht mund të largohen nga rrethi ku jetojnë vetëm në rrethana të jashtëzakonshme.
Sidoqoftë, situata në Republikën Çeke po përmirësohet gradualisht.
Aktualisht, ka më shumë se 500 raste për 100,000 banorë gjatë një periudhe shtatë ditore.
Vendi me 10.7 milionë banorë ka regjistruar më shumë se 1.5 milion infeksione dhe 25,639 vdekje që nga fillimi i shpërthimit.