Zgjedhjet përfunduan, fituesi tani më dihet, Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje. Por ajo që i bën interesante këto zgjedhje është vetë figura e kryeministrit në ardhje. Albin Kurti asnjëherë nuk ka besuar në shtetin e Kosovës. Republika e Kosovës, me simbolet e saj dhe me flamurin lara-lara siç e përshkruan ai, ka qenë një kompromis i keq për shqiptarët e Kosovës. Shpallja e pavarësisë, një akt jo i drejtë historik, pasi që në vend të saj do të duhej deklarata për Bashkim Kombëtar me Shqipërinë.
Republika e tretë e Albinit
Për shumë kë 17 Shkurti ka qenë një ditë e veçantë, të gjithë e mbajnë mend atë ditë festimi. Të gjithë të tjerët ishin rrugës duke kremtuar shpalljen e pavarsisë së Kosovës. Por jo edhe Albini me shokët e tij të Lëvizjes Vetëvendosje. Një lëvizje politike që kundërshtonte në atë kohë tërë procesin nëpër të cilin po kalonte Kosova përmes dialogut dhe Pakon e Ahtisaarit, e që në fund rezultoi me shpalljen e Kosovës shtet të pavarur.
17 shkurti heshti Albin Kurtin dhe lëvizjen e tij, çdo gjë që kishin thënë për proceset nëpër të cilat kishte kaluar Kosova, nuk u realizuan. Kosova shpalli pavarsinë, shumica e vendeve demokratike duke përfshirë Amerikën e njohën atë, pjesa tjetër është histori siç e kemi përjetuar të gjithë ne.
Populistët e mençur e kuptojnë shumë mirë çka kërkon shoqëria dhe këtu Albini është treguar dinak. Ai e din që kosovarët e duan shtetin e Kosovës, shumë më shumë se sa bashkimin me Shqipërinë. Në këtë kontekst Albini nuk po e mohon më shtetin. Ai po bëhet politikan i mirë edhe po shkon që t’i ndjek lojërat e Kombëtares së futbollit. Një kombëtare që para pak kohe e kishte mohuar dhe përçmuar. Për t’i dhënë shije pjesëmarrjes së tij ai e kishte vendosur edhe shallin me flamurin lara-lara.
Transformimi i Albinit në rastin më të mirë mund të konsiderohet orvellian, zgjedhjet kaluan, rezultatet dolën dhe maskarada bie dalë-ngadalë. Në një intervistë në shtetin shqiptar Albini është deklaruar prap për Republikën e tretë, modeli i dy Gjermanive, republika e vertetë sipas tij.
Atë çka nuk e thotë Albini është se për të themeluar Republikën e tretë, Republika e Kosovës duhet të pushojë së ekzistuari, ajo duhet të vdes, dhe e gjithë teoria e tij mbi Republikën e tretë bazohet mbi një botëkuptim të gabuar dhe të deformuar që ka Albini për të drejtën e vetëvendosjes së popujve.
Sikur botëkuptimi i Albinit për vetëvendosje të ishte i drejtë edhe aq i thjeshtë, besa edhe real, Kurdët, Palistinezët dhe Katalonasit do ta kishin shtetin e tyre shumë dekada më parë, ndërsa 26 konflikte të armatosura për vetëvendosje nëpër botë nuk do të egzistonin.
Republika e Kosovës është larg i të qenit një shtet i përsosur, vet akti i themelimit të saj është shume kompleks, i pa precedent dhe unik. Shteti i Kosovës është një mrekulli në vete që nuk do të përsëritet më. Për këtë arsye në mes të romanicizmit nacionalist për bashkim kombëtar dhe shtetit të Kosovës, unë e zgjedhi këtë të fundit. Jo se nuk e dua bashkimin kombëtar, por për shkak se Shteti i Kosovës është realitet dhe zhbërja e tij është e dhimbshme pas një fitore aq të madhe për kosovarët.
Ndërsa Republika e tretë e Albinit është vetëm një aspirim ideologjik që nuk do të bëhet realitet me këtë rendin botëror që kemi ne sot.