Parlamenti i Republikës Serbe të Bosnjës, ka miratuar masat jo detyruese që hedhin poshtë kompetencat e zyrtarit të lartë civil të Bashkësisë Ndërkombëtare në Bosnjë-Hercegovinë dhe duke të cilat bëjnë thirrje për një referendum mbi anëtarësimin e Bosnjës në NATO.
Masat e miratuara, ishin pjesë e një pakete prej rreth 20 të ashtuquajturave “përfundime” të votuara nga ligjvënësit serbë të Bosnjës pas një seance maratonë 15-orëshe.
Përfundimet u propozuan nga shumica qeverisëse e udhëhequr nga Unioni i Social Demokratëve të Pavarur (SNSD), i kryesuar nga Millorad Dodik, anëtar serb i presidencës tre-palëshe të Bosnjës.
Përfaqësuesi i Lartë për Bosnjë dhe Hercegovinën – zyra e së cilit u krijua në 1995, pas nënshkrimit të marrëveshjes së paqes në Dejton që i dha fund luftës në Bosnje- ka autoritetin për të shkarkuar politikanët dhe të drejtën për të vënë veto ndaj ligjeve tjera.
Përfaqësuesi i Lartë, aktualisht është diplomati austriak, Valentin Inzko, i cili mbikëqyrë zbatimin civil të Marrëveshjes së Dejtonit.
Kompetencat e Përfaqësuesit të Lartë janë kritikuar nga serbët e Bosnjës për shkak se nuk ofrojnë mundësi për të apeluar vendimet e tij, të cilat kanë efekt të menjëhershëm.
Që nga fillimi i punës së saj, Zyra e Përfaqësuesit të Lartë ka shkarkuar një numër zyrtarësh, përfshirë gjyqtarë, shërbyes civilë dhe deputetë të parlamentit.
Njëzet përfundimet e miratuara, përfshijnë edhe një pikë që flet për të drejtën e njerëzve për vetëvendosje, por edhe një tjetër që njofton për mundësinë e një kushtetute të re të Republikës Serbe, e cila, siç thuhet, do të shpallet nga qytetarët përmes referendumit.
Megjithëse nuk janë ligjërisht të detyrueshme, masat e miratuara nga ligjvënësit serbë të Bosnjës, janë sinjal i pozicionit të shumicës parlamentare serbe të Bosnjës.
Përfundimet tjera të miratuara nga ligjvënësit, përfshijnë riafirmimin, se Republika Serbe ka autoritetin e vetëm për të vendosur mbi statusin e saj të ardhshëm.
Pothuajse 25 vjet pas përfundimit të luftës në Bosnje, e cila rezultoi me rreth 100,000 njerëz të vrarë, vendi mbetet etnikisht i ndarë midis myslimanëve, serbëve dhe kroatëve.
Mosmarrëveshjet për raportet e vendit me NATO-n kanë penguar formimin e një qeverie të re, një vit pas zgjedhjeve të përgjithshme.
Formimi i një qeverie boshnjake ka ngecur kryesisht sepse anëtari i presidencës tre-palëshe, Millorad Dodik, që njihet si pro rus, ka refuzuar lidhjet më të ngushta me NATO-n.