Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Connectivity: Road to Peace”, mbajtur në Stamboll.
Para përfaqësuesve të lartë shtetërorë, Reshitaj deklaroi se pavarësia e Kosovës ka krijuar stabilitet dhe paqe në rajon.
Ajo falënderoi Turqinë dhe Pakistanin për mbështetjen që po i japin Kosovës si bashkorganizatorë të kësaj konference.
“Për ne, paqja është e panegociueshme, e domosdoshme dhe e paalternativë, është kushti paraprak për të ndërtuar një shtet demokratik dhe shoqëri multietnike, një vend ku barazia e të gjithëve është e garantuar me ligj”, deklaroi ndër të tjerash Reshitaj.
Ajo theksoi rëndësinë e krijimit të strategjisë së përbashkët për politikat mjedisore në gjithë rajonin.
Reshitaj fjalën e saj e mbylli duke cituar Mahatma Gandhin: “Nuk ka rrugë për paqe, paqja është rruga”.
Vlen të përmendet që gjatë prezantimeve në këtë konferencë u ri-konfirmua përkrahja e shteteve të lindjes për Kosovën në zhvillimin e saj dhe njohjen nga shtetet që ende se kanë njohur.