Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe të Bankës Evropiane për Investime, me të cilët diskutuan për bashkëpunimin në ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza në Kosovë.
Në ketë takim u diskutua lidhur me financimin e projekteve te impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, infrastrukturës përcjellëse (Rrjeti i kanalizimit dhe kolektorët) në Gjilan dhe Mitrovicë si dhe për impiantet që janë në realizim e sipër.
Me këtë rast Reshitaj pasi falenderoi përfaqësuesit e BERZH dhe BEI për përkrahjen dhe bashkëpunimin në fushën e ujërave theksoi që ndërtimi i impianteve për trajtimin e ujerave të zeza është me rendësi të madhe për Kosovën dhe mirëqenien e qytetareve të saj.
“Është prioritet i MMPH-së ndërtimi i impianteve për trajtimin e ujërave të zeza në tërë territorin e Kosovës pasi që lidhet drejtpërdrejtë me kualitetin e jetës dhe mbrojtjen e biodiversitetit në vend”, vlerësoi Reshitaj.
Nga ana tjetër përfaqësuesit e bankave përgëzuan ministren për angazhimin e saj në zgjidhjen e problemeve mjedisore, me theks të veçantë në trajtimin e ujërave të zeza dhe u zotuan që përkrahja për Kosovën në këtë sektor do të vazhdojë edhe në të ardhmen.