Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) ka mbajtur një takim me përfaqësues të Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), për të diskutuar rreth problematikës së ndotjes së ajrit në Kosovë dhe implementimin e një projekti, sikur u quajt gjigant, në këtë fushë.
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, tha se rezultatet preliminare të një studimi dalin në tetor, me ç’rast do të verifikohen saktë ndotësit kryesorë në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
“Kemi pasur një delegacion të lartë nga selia e Tokios në ministrinë tonë për të diskutuar rreth arritjeve dhe fazave të implementimt të një projekti gjigant, të cilin jemi duke e bërë bashkërisht me JICA-n japoneze në fushën e mjedisit, gjegjësisht zvogëlimit të emisioneve dhe ndotjes së ajrit”, tha Reshitaj.
“E dimë problematikën e shtetit tonë sa i përket ndotjes së ajrit, prandaj ne si ministri bashkë me JICA-n jemi duke punuar vazhdimisht në këtë drejtim”.
Kreu i MMPH-së tha se po presin rezultatet e studimit për ndotësit, që të bëjnë një plan i qëndrueshëm.
“Kemi bërë një hulumtim shkencor rreth asaj se kush janë ndotësit e ajrit për të pasur informacione për një plan të qëndrueshëm. Rezultatet preliminare të këtij studimi dalin në tetor për t’i verifikuar saktë ndotësit”.
“Po punohet duke u kontrolluar gazrat e ndryshme, të automjeteve, përdoruesve të thëngjillit, termoelektranave”, shtoi ministrja e Mjedisit.
Nga selia e JICA-s në Tokyo në takim merrnin pjesë Yamanda Taizo dhe Tsushima Keigo, si dhe dy ekspertë të JICA-s që po e implementojnë projektin, Masuto Shimizu dhe Yasufumi Nakajima.
Përfaqësuesi i zyrës qendrore të JICA-s, Yamanda Taizo, tha se është bërë progres në një periudhe më pak se njëvjeçare.
“Projekti ka për qëllim që të zhvillojë kapacitetet e palës kosovare për trajtimin e ndotjes së ajrit. Ky projekt ka filluar vitin e kaluar, tetorin e kaluar, dhe në më me pak se një vit pala kosovare ka filluar shumë punë të rëndësishme për kontrollin e ndotjes se ajrit me ekspertët e JICA-s”, tha Taizo.
Ai tregoi se do të investohet në termocentralin “Kosova A” në Obiliq për zvogëlimin e emisioneve dhe ndotjes së ajrit dhe se do të bëhet një rrjet i komunikimit i të dhënave për cilësi të ajrit dhe inventari i emisioneve.