Deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj, ka thënë se vendit i duhen institucione stabile dhe për këtë gjë, ka thënë ajo, Aleanca është e gatshme ta marr përgjegjësinë që i takon.
“Vendit i duhen institucione stabile, pas votimit për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës me 2/3 Vendit i duhet një qeveri e re me kompetenca të plotë kushtetuese dhe opsioni për shkuarje në zgjedhje është i papranueshëm në dy aspekte: e para kundër shkuarjes në zgjedhje janë deklaruar rreth 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe e dyta, situata aktuale me Covid-19 e pamundëson shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme. Aleanca është e gatshme që të marr përgjegjësi për të ardhmen e vendit”, ka thënë Reshitaj për Euronews Albania.
Reshitaj ka theksuar se kandidatët e AAK-së për poste qeveritare janë njerëz me integritet dhe profesionistë. Ajo ka thënë se ata kanë kaluar nëpër filtrat e partisë para përzgjedhjes.
“Të kandiduarit tanë për ministra, kanë kaluar nëpër filtra të partisë, të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Këto janë një ndër pikat kyçe për qeverinë e re, pastërtia, profesionalizmi dhe përkushtimi në punë. Ne nuk kemi marrë figura nga grupi parlamentar, por kemi marrë figura nga jashtë”, ka theksuar ajo.
Reshitaj ka thënë po ashtu se sfidë e qeverisë së re do të jetë rimëkëmbja pas pandemisë Covid-19, luftimi i krimit dhe korrupsionit, arritja e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë pa prekur integritetin territorial të Kosovës.