Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj e shoqëruar edhe nga deputetja e Kuvendit të Kosovës Luljeta Veselaj ka vizituar dje Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti” ku u prit nga rektori i këtij universiteti Ramë Vataj.
Në takim është diskutuar për mundësinë e lidhjes së bashkëpunimit në mes të MMPH-së dhe UPZ-së. Konkretisht për përkrahjen e Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit në UPZ, transmeton Ekonomia Online.
Sipas një komunikate nga MMPH, rektori Vataj theksoi se misioni themelor i Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit është ofrimi i nivelit të edukimit universitar dhe pasuniversitar si dhe të merret me hulumtimet shkencore dhe punë konsultative që kanë të bëjnë me Shkencat e natyrës së gjallë, Mjedisit dhe Agrobiznesit.
Ministrja Reshitaj theksoi se dikasteri qeveritar që ajo e drejton është interesuar për këtë fakultet të ri dhe shpreh gatishmërinë për të mbështetur pasi që ofron kuadro në programe specifike që kanë munguar në Kosovë. Ajo shtoi se është e gatshme që të ofrojë për studentët kryerjen e praktikës në MMPH dhe në agjencitë në kuadër të kësaj ministrie.