Reshitaj për masat e reja kundër Coronavirusit: Vendime ”ad-hock” dhe të paanalizuara mirë

Prishtinë | 14 Pri 2020 | 12:52 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Albena Reshitaj, ka vlerësuar se institucionet shëndetësore në vend do duhej të ishin të përgatitur më mirë në luftën kundër Covid-19.

Reshitaj në një analizë të saj të publikuar së fundit, ka sqaruar në detaje për ftesat që ka bërë ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, për tu informuar më saktë rreth situatës së krijuar nga pandemia.

”Institucionet shëndetësore në vend kanë mund të jenë përgatitur më mirë, duke mësuar edhe nga gabimet e vendeve tjera të prekura më herët, sikur që ka mundur të menaxhohet akoma më mirë kjo situatë dhe jo sikur dje me masa edhe kundër kushtetuese të mundohen ta mbulojnë dështimin në furnizim me kohë dhe në numër të testeve për Covid-19”.

Në cilësinë e profesionistes mjekësore, ajo vendimet e tilla nga trupa qeveritare kundër Covid-19, i ka quajtur ‘’ad-hok’’, dhe të paanalizuara mirë, njofton Klan Kosova.

”Më shumë këto vendime ad-hok dhe të paanalizuara mirë lënë përshtypjen e përdorimit të një situate kaq të ndieshme të shoqërisë për të shfryer inate politike dhe për t’u munduar të mbulohen gabime politike”.

”Kjo është e patolerueshme në këtë situate dramatike nëpër të cilën po kalon jo vetëm Kosova por i gjithë globi”, shton ajo mes tjerash në reagimin e saj përmes facebook.

Sipas saj që nga paralajmërimet se Kosova mund të rrezikohet nga ky virus vdekjeprurës, ka bërë ftesë publike për rritje të vigjilencës dhe për masa konkrete në parandalimin e infeksionit me Covid-19.

Por ajo thekson që në sistemin shëndetësor Kosova ka shumë profesionistë të përkushtuar dhe shumë punëtorë gjë që edhe dëshmuan dhe po dëshmojnë në këtë betejë me koronavirusin.

Duke qenë se deri më sot kemi 377 të infektuar, 63 të shëruar dhe 8 të vdekje të cilat lidhen me koronavirusin,  sipas analizës së saj, nuk është numër i lartë i të të prekurve me këtë pandemi.

”Ajo që deri më tani karakterizon të gjithë të infektuarit është se shumica prej tyre janë infektuar nga kontaktet me familjarët ose të afërmit e tyre, të cilët paraprakisht infeksionin e kanë marr si rezultat i qëndrimit jashtë vendit tonë, përkatësisht në vendet të cilat janë prekur paraprakisht me Covid-19”.

Të ngjashme