Konferenca dhe ekspozita e përbashkët ballkanike “Sfida e ujit të ndotur” ka zhvilluar punimet në ditën e tretë.
Me këtë rast Drejtori i Shoqatës së Ujësjellësve dhe Kanalizimit të Kosovës, Abdullah Derguti, ka kërkuar bashkëpunim dhe përkrahje nga qeveria për mbështetje të ndërmarrjeve publike që të furnizohen qytetarët me ujë të pijshëm 24 orë, si dhe për masat mbrojtëse të ujërave nga ndotja.
Ndërsa Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj ka thënë që qeveria do të bëj çmos për ruajtjen e burimeve të ujit.
“Shumë impiante janë në proces dhe në vitet në vazhdim 60% e ujit do të trajtohet. Kosova është vend me stres ujor prandaj duhet të bëjmë çmos që ti ruajmë burimet dhe qeveria jonë është në mision për trajtim serioz të kësaj tematike. Përveç impianteve në pellgjet kryesore do të punojmë edhe në trajtimin e ujërave të zeza në viset rurale” ka thënë Reshitaj.
Ndërkohë Rene Eschemann, Drejtor i KFW për Kosovë e Maqedoni, ka thënë që duhet të përmirësohet shërbimi i konsumatorëve dhe krahas kësaj të ngritët edhe inkasimi në mënyrë që njerëzit të paguajnë pa i ndëshkuar, nëse ofrohet ujë i sigurt me furnizim të rregullt, njofton Klan Kosova.