Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, sot vizitoi Bifurkacionin në Ferizaj dhe Shpellën e Gadimes në Lipjan, me ç‘rast shpalosi prioritetet dhe planet për të ardhmen sa i përket këtyre dy monumenteve natyrore me rëndësi të veçantë.
Në vizitën e saj te Bifurkacioni në Ferizaj, ministrja Reshitaj u shpreh se në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt do të angazhohet në realizimin e projekteve të përbashkëta në mbrojtjen dhe funksionalizimin e këtij fenomeni. Në asnjë mënyre nuk do të lejojë dëmtimin e vlerave unike që ka ky fenomen natyror dhe se do të investojë në ruajtjen, mirëmbajtjen dhe funksionalizimin e plotë të tij.
“Ne e konsiderojmë që Bifurkacioni dhe Shpella e Gadimes janë dy zona me interes të veçantë, janë zona të mbrojtura, e kemi obligim së pari qytetar e pastaj edhe ligjor.”Ne duhet të punojmë në këtë drejtim që përmes turistëve të huaj të na njohin edhe neve si vend; të arrijmë t’i promovojmë sa më shumë këto bukuri, si dhe t’i menaxhojmë si duhet”, tha Reshitaj, raporton Ekonomia Online.
“Është fillimi i punës time dhe të shohim se çka mund të bëjmë në mënyrë që ky vend, po edhe bukuritë e tjera natyrore t’i menaxhojmë sa më mirë, dhe t’i vetëdijesojmë qytetarët që të mbrojnë interesat nacionale”.
Më pas, Reshitaj vizitoi edhe lumin Nerodime, në të cilin javën e kaluar janë zhvilluar gara automobilistike me xhipa, me ç’rast janë shkaktuar dëme mjedisore në shtretërit e dy lumenjve, “Lumi i Madh” dhe lumi “Nerodime” në vendin ku këta lumenj bashkohen.
Inspektorati i Ministrisë pas verifikimit të dëmeve ka dhënë vërejtje ndaj Komunës duke apeluar që veprime të tilla të mos përsëriten në të ardhmen. “Legjislacioni i Kosovës ndalon dhe dënon çdo lloj gare e cila dëmton dhe prek lumin Nerodime”, tha Reshitaj.
Pas Ferizajt, Ministrja Reshitaj vazhdoi vizitën në Shpellën e Gadimes në komunën e Lipjanit, ku u prit nga kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina. Ai e njoftoi ministren për së afërmi me gjendjen e shpellës dhe kërkoi përkrahje në promovimin e saj si dhe zgjerimin e investimeve brenda dhe zonës rreth saj.
Ministrja Reshitaj e vlerësoi shpellën si vlerë të veçantë turistike që tërheq shumë vizitor nga vendi dhe bota, një atraksion që meriton vëmendje dhe kujdes nga të gjithë. Ajo u zotua që si ministre e re e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të angazhohet në ruajtjen e saj dhe në asnjë mënyre nuk do të lejojë dëmtimin eventual.
“Prioritet i imi është hulumtimi i korridoreve dhe galerive të reja të shpellës, zgjerimi i saj, modernizimi, zgjerimi i liqenit dhe krijimi i qendrës turistike duke investuar në rregullimin e infrastrukturës përreth saj, në mënyre që qytetaret e kësaj anë të punësohen duke zhvilluar aktivitete komerciale, duke iu ofruar turisteve produkte tradicionale, artizanale dhe kulturore”, ka thënë Reshitaj.
MMPH paralajmëron se vizita të tilla do të vazhdohen edhe në monumentet e tjera me rendësi të veçantë natyrore, për t’u njohur me gjendjen e tyre dhe mundësitë e menaxhimit më të mirë dhe më të qëndrueshëm.