Përkundër reshjeve të borës që kanë filluar nga dita e djeshme, Ministria e Infrastrukturës deklaron se të gjitha rrugët janë të qarkullueshme.
Gëzim Osmani, Shef i Mirëmbajtjes së Rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës, ka thënë për Telegrafin se sipas informacioneve nga tereni nga menaxherët e mirëmbajtjes gjendja e rrugëve në Kosovë është e mirë.
“Të gjitha rrugët janë të qarkullueshme për komunikacionin e automjeteve. Pas reshjeve të borës kompanitë e kontraktuara nga ana e MMPHI-së kanë intervenuar me pastrim të borës dhe hedhje të kripës në shtresat qarkulluese për shkak të sigurisë në komunikacion gjatë tërë kohës”, deklaroi ai.
Osmani shtoi tutje se në viset malore ka pas reshje të borës më shumë, por rrugët janë të kalueshme me kujdes të shtuar.
“Kompanitë gjatë ditës do të punojnë në përmirësimin e gjendjes së rrugëve për qarkullim sa më të sigurt të automjeteve”, bëri të ditur ai.
Ndryshe, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se pas këtyre temperaturave dhe rrezeve të diellit që përfshinë vendin tonë, gjendja sinoptike do të ndryshojë dukshëm, si pasojë e prezencës së masave të ftohta të ajrit me origjinë polare.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se kjo situatë meteorologjike do të kushtëzoj mot kryesisht të vranët dhe me reshje bore.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -7 deri -2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 0-2 gradë Celsius.