Reshjet rekord të shiut në Hong Kong kanë shkaktuar përmbytje të mëdha – mbylljen e shkollave dhe bizneseve dhe shndërrimin e rrugëve në lumenj.
Të enjten mbrëma qyteti përjetoi reshjet më të shumta në një orë që nga fillimi i regjistrimeve më 1884.
Observatori i Hong Kongut regjistroi 158.1 mm reshje mes orës 23:00 të së enjtes deri në mesnatë.
Byroja e motit lëshoi një paralajmërim për stuhi të zezë mbrëmë – i pari në gati dy vjet – i cili mbetet në vend deri në mesnatën e së premtes.
Ajo tha se më shumë se 200 mm reshje ishin regjistruar në ishullin kryesor të Hong Kongut, Kowloon dhe pjesën verilindore të Territoreve të Reja të qytetit që nga mbrëmja e së enjtes – dhe u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë të sigurt.






