Respektimi i të drejtave të njeriut, bazë themelore e demokracisë

Prishtinë | 20 Shk 2017 | 11:51 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Grupi Koordinues Ndërministror për të Drejtat e Njeriut në Kosovë nën kryesimin e kryeministrit Isa Mustafa ka mbajtur takimin e parë konstituiv për të diskutuar për të drejtat e njeriut dhe rritjen e përgjegjësisë së institucioneve në këtë fushë.

Gjatë takimit u tha se edhe pse është avancuar dukshëm korniza ligjore për të drejtat e njeriut, ende mbetet sfidë zbatimi i saj.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se vendi çdo ditë e më tepër është duke bërë hapa pozitiv në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, raporton Ekonomia Online.

“Bazuar në obligimet që dalin nga MSA-ja dhe dokumentet e tjera të fushës së drejtave të njeriut, vendi ynë po angazhohet që të respektoj këto të drejta dhe mbrojtjen e personave që nuk janë shumicë, mbrojtjen e minoriteteve dhe të gjitha grupeve të tjera shoqërore. Të drejtat dhe liritë e njeriut janë të pa ndashme, të pa cenueshme të cilat janë në koordinim me kushtetutën e Republikës së Kosovës. Respektimi i këtyre të drejtave është bazë themelore e ndërtimit të demokracisë”, tha Mustafa.

“Te ne është avancuar dukshëm korniza ligjore për të drejtat e njeriut. Ajo çka mbetet është zbatimi i këtij ligji. Jam shumë i bindur që me koordinim të përbashkët do të arrijmë në realizimin e këtyre të drejtave që janë bazë themelore për ndërtimin e shtetit demokratik”, tha ai.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, në fjalën e tij gjatë këtij takimi tha se në raportet ndërkombëtare janë evidente rezultatet e vitit të kaluar të cilat e kanë shtyrë këtë ministri të dyfishojë përpjekjet në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Ministria e Punëve të Brendshme me po të njëjtin intensitet dhe përkushtim është dhe vazhdon ta adresoj çështjen e trafikimit të qenieve njerëzore. Në raportet ndërkombëtare janë evidente rezultatet e vitit të kaluar dhe këto raporte na kanë shtyrë t’i dyfishojmë përpjekjet, por me keqardhje më duhet ta them se gjykatat duhet të jenë më efikase në trajtimin e rasteve që kanë të bëjnë me trafikimin e qenieve njerëzore” tha Hyseni.

“Nganjëherë dënimet në rastet e trafikimit kanë qenë qesharake dhe kjo ka bërë që këto raste të shpeshtohen”, ka shtuar ai.

Për të është shqetësues fakti se në Kosovë çdo ditë ka një përballje me trafikim të femrave dhe një numër të madh të lypësve, që sipas tij, 90 për qind të tyre janë të organizuar dhe kanë dikë që i udhëheqin.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se në dikasterin që ai drejton po bëhen përpjekje që të mbështeten të gjitha institucionet që merren me fushën e të drejtave të njeriut.

“E them me kënaqësi që me gjithë kufizimet buxhetore që kemi pasur në vitet e fundit, ne po bëjmë përpjekje që të mbështesim të gjitha institucionet që merren me fushën e të drejtave të njeriut. E them me kënaqësi që me gjithë kufizimet buxhetore që kemi pasur në vitet e fundit, ne kemi qenë të përkushtuar që të plotësojmë kërkesat buxhetore në veçanti tek institucionit i Avokatit të Popullit si bartësi kryesor për mbikëqyrjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”, tha ai.

“Gjatë këtij viti buxheti për institucionin e Avokatit të Popullit nga 980 mijë sa ka qenë është rritur për 1.3 milion euro. Do t’iu siguroj që do të jemi gjithmonë të gatshëm që të mbështesim nevojat që dalin nga Zyra e Avokatit të Popullit”, ka theksuar Hoti.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Florian Dushi, theksoi se në Kosovë jetojnë në një shoqëri që ka kaluar në periudha të vështira. Ai ka potencuar se dhuna ndaj grave është një ndër aktet më të shëmtuara të një shoqërisë.

“Trajtimi i dhunës ndaj grave është bazë për një shoqëri. Konsideroj që institucionet tona kanë krijuar mjaftueshëm bazë ligjore për trajtimin e këtyre çështjeve për të mos lejuar që kjo dukuri të mos bëhet bazë për ndoshta edhe zhdukjen e tyre. Ministria e Drejtësisë me ndihmën e miqve ndërkombëtarë ka hartuar strategjinë, e cila fokusohet në harmonizimin legjislativ me atë ndërkombëtar. Jemi në konsultime me Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Ligjor që trajtimit të rasteve të dhunës ndaj grave t’i jepet prioritet”, ka thënë Dushi.

Ndërsa, Avokati i Popullit Hilmi Jashari, theksoi se ky është takimi nismëtar, i cili do të japë kontribut të veçantë të fushës së të drejtave të njeriut.

“Ajo që shkon në interes të vendit është se ne kemi rekomanduar që në Kuvendin e Kosovës të diskutohet edhe aty për fushën e të drejtave të njeriut. Nga sektori i OJQ-vë bëhet një punë shumë e mirë dhe se janë një mori rekomandimesh për qeverinë”, ka thënë ai.

Sipas tij, një pjesë e madhe e institucioneve nuk i përgjigjen fare rekomandimeve të institucionit të Avokatit të Popullit.

 

Të ngjashme