Deputeti nga radhët e Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin Evropian (PE), Thijs Reuten, beson se hapi i radhës i Bashkimit Evropian në raport me Kosovën pas liberalizimit të vizave do të jetë procesimi tutje i aplikimit të anëtarësimit të Kosovës në Union.
“Pas vonesave krejtësisht të panevojshme që nga sot ka hyrë në fuqi udhëtimi pa viza në BE për të gjithë qytetarët e Kosovës. Hapi i radhës: procesimi i aplikimit të Kosovës për statusin e kandidatit në Evropë”, ka shkruar Reuten në platformën sociale, X.
At last! After years of utterly unnecessary delay as of today visa free travel to the EU for all citizens of Kosovo is effective! 🙌
— Thijs Reuten 🇪🇺🌹 (@thijsreuten) January 1, 2024
Next: processing the application for candidate status. Kosovo is Europe 🇪🇺🤝🇽🇰 #PaViza https://t.co/UcHCSv28hl
Me fundin e vitit 2023 edhe Spanja përmbyll kryesimin e Bashkimit Evropian duke ia dorëzua kështu mandatin Belgjikës për gjashtë muaj.
Më 15 dhjetor të vitit të kaluar Kosova dorëzoi zyrtarisht dokumentet e nevojshme për aplikim për anëtarësim në Union.
Që nga ajo kohë e deri më sot dokumentacioni i Kosovës nuk u shqyrtua ani pse kur kryesimin e BE-së e pati Suedia, pati përpjekje që Këshilli i BE-së të shqyrtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe eventualisht t’i japë mandat Komisionit Evropian për të përpiluar mendimin rreth këtij aplikimi.
Por, as Suedia nuk arriti të sigurojë mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare për një gjë të tillë, ndërsa Spanja ishte ndër vendet që më së shumti e kundërshtonte këtë.
Tash kur Belgjika merr kryesimin e radhës nuk është e qartë nëse do të kthejë në shqyrtim aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, të dorëzuar në fund të vitit 2022 kur kryesimin e kishte Çekia.
“Kjo është edhe çështje ligjore, pasi pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur të gjitha vendet anëtare e në zgjerim vendoset me konsensus. Por, është edhe çështje politike pasi lidhet edhe me sjelljen e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë dhe zbatimin e obligimeve që dalin nga ky proces”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë një diplomat i BE-së.