Revista e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është pranuar në platformën shkencore EBSCO.
Këtë e ka konfirmuar drejtori i këtij seminari, Rrahman Paçarizi përmes profilit të tij në Facebook, përcjell Klan Kosova.
“Pak më shumë se një vit pas marrjes së numrit ISSN, Revista e Seminarit është pranuar në njërën nga platformat më prestigjioze të revistave shkencore EBSCO. Kjo u bë e mundur falë angazhimit vetëmohues të dekanes Lindita Rugova dhe për shkak të cilësisë së pakontestueshme që e ka revista e institucionit më të madh dhe më me traditë të shkencave albanologjike”, ka shkruar Paçarizi.
“Ky është një moment i rëndësishëm i pranimit të cilësisë, angazhimit dhe traditës së Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Si drejtor i SNGJLKSH falënderoj dekanen Lindita Rugova, prodekanët Alba Blakaj, e Nysret Krasniqi, ish-bashkëdrejtoren Aljula Jubani, bashkëdrejtoren Dhurata Shehri dhe të gjithë bashkëpunëtorët dhe kontribuesit kryesorë që nga Idriz Ajeti, Rexhep Ismajli, Zejnullah Rrahmani, Sabri Hamiti, Rexhep Qosja, Kujtim Shala e deri të pararendësi im akademik Bardh Rugova i cili bëri hapat e parë drejt kësaj arritjeje”.