Revista franceze shkruan për gjashtë yje shqiptare

Prishtinë | 15 Tet 2016 | 09:50 | Nga

Edhe pse disa prej tyre nuk kanë lindur në Shqipëri apo Kosovë, ato e kanë bërë krenar popullin e tyre. Një prej mediumeve franceze ka publikuar një shkrim për 6 shqiptare, të cilat vazhdojnë të ruajnë kulturën dhe traditat e tyre.

Gjashtë yje të Ballkanit, për ‘Hajde.fr’, janë Rita Ora, Era Istrefi, Dua Lipa, Bebe Rexha, Eliza Dushku dhe Inva Mula, duke i konsideruar persona që po i japin një tjetër reputacion shqiptarëve nëpër botë.

“Hajde” shkruan se të gjitha këto gjashtë emra, tri të parat nga Kosova, gjithmonë kanë cekur origjinën e tyre dhe kanë ruajtur thjeshtësinë në skenë, para publikut e audiencës, transmeton emisioni Express në KTV.

“Hajde” shkruan një biografi për secilën prej artistëve, duke nisur me Rita Orën, për të cilën shkruan fillimisht për origjinën e saj si dhe emigrimin. “Kur ajo viziton Kosovën, thotë se ndihet sikur Nëna Terezë apo princesha Diana, ajo madje e ka realizuar një klip për vendin e saj “Shine Ya Light”shkruan Hajde.fr.

Pas Orës, revista në fjalë shkruan edhe për Dua Lipën, kështu duke përmendur hitet e saj. “Mediat në botë e cilësojnë këngëtaren si një artiste më një të ardhme të ndritur, pasi edhe është zbuluar nga menaxhmenti i këngëtares Lana Del Ray.

Në këtë renditje, hyn edhe këngëtarja kosovare Era Istrefi, të cilën edhe njëherë e krahasojnë me emrat si Rihanna e Sia, për të vazhduar me Bebe Rexhën nga Dibra si krijuese të hitit “Monster” nga Rihanna dhe Eminem. “Bebe Rexha”e filloi karrierën e saj muzikore në vitin 2010 si një këngëtare e grupit Black Cards. Sot ajo është e njohur për bashkëpunimet e shumta si me: David Guetta, Nicki Minaj, G-Easy dhe së fundi me Martin Garrix. Bebe ka shkruar tekste edhe për Lady Gaga dhe Kesha. Albumi i parë i Rexhës pritet të publikohet në fund të vitit, përfundon shkrimin “Hajde.fr” për këngëtaren me origjinë shqiptare.

Eliza Dushkun gazeta online e përmend si një ndër aktoret shqiptare më të arrira në botë, duke përmendur momentin kur aktorja mori edhe nënshtetësinë shqiptare nga Presidenti i Shqipërisë, si dhe kur për herë të parë e vizitoi Kosovën.

Nëse fytyra e saj nuk tregon asgjë, ju sigurisht që keni dëgjuar zërin e saj. Epo, ajo ka kënduar kolonën zanore të filmit “Elementi i pestë” nga Luc Besson. Kështu ka nisur shkrimin revista franceze për sopranon shqiptare Inva Mula, e lindur në Tiranë, por një emër që ka prekur skenat më të mëdha të muzikës klasike në botë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme