Inter planifikon krijimin e një ekipi të fortë për sezonin e ri.
Pasi mbylli sezonin duke dërguar Interin në Ligën e Kampionëve, Luciano Spalletti u takua me drejtuesit ku mori garancinë për qëndrimin të paktën edhe për sezonin e ardhshëm, si dhe për një merkato cilësore.Tekniku zikaltër është duke planifikuar tashmë një revolucion si në emrat e lojtarëve, ashtu edhe në vendosjen e skuadrës, ku skema 4-2-3-1 duket e kaluar tashmë.
Ideja e Spallettit është që të përdorë një modul 3-4-2-1, të cilin e ka eksperimentuar me sukses edhe të Roma dy vite më parë, ndaj edhe afrimet në merkato do të jenë në funksion të kësaj skeme. Kështu në portë pritet konfirmimi i Handanoviç, ndërsa mbrojtja do të përbëhet nga treshja Skriniar-Miranda-De Vrij, me holandezin që sapo ka firmosur një kontratë 5-vjeçare me zikaltrit.
Mesi i fushës do t’i besohet Brozoviçit, ndërsa po kërkohet edhe afrimi i një tjetër mesfushori me eksperiencë në arenën ndërkombëtare, që do të ndihmonte kroatin në shkatërrimin e aksioneve dhe ndërtimin e lojës. Profili që pëlqehet më shumë, është ai i mesfushorit të Tottenhamit, Dembele, por nuk përjashtohen alternativa si Vidal e Badelj, ndërsa besim maksimal do të ketë edhe për Gagliardinin, që tregoi se me Brozoviç përshtatet mjaft mirë.
Krahët do të mbulohen nga D’ambrosio dhe Asamoah, që ofrojnë shumë siguri në fazën difensive, ndërsa mund t’i jap[in shtysë edhe manovrës sulmuese. Natyrisht që nga e djathta ka ende dilema mbi D’ambrosion, që nuk është se shquhet shumë për daljet në sulm, pasi është një futbollist i ngadaltë. Pikërisht për këtë arsye po studiohet mundësia e afrimit të Florenzit ose Bruno Peres nga Roma, në rast se pista Cancelo do të dështojë përfundimisht.
Vetë Spalletti mësohet t’u ketë thënë drejtuesve se portugezi duhet të ketë prioritet absolut, pasi është përmirësuar ndjeshëm në fazën mbrojtëse, ndërsa është një vlerë e shtuar kur sulmon, pasi disponon shpejtësi dhe teknikë të lartë. Në sulm do të jetë Mauro Icardi pika e referimit, gjithmonë nëse nuk do të vijë një ofertë tunduese, që do ta largonte argjentinasin nga zikaltrit.
Pas shpinës së tij pritet të luajnë Perisiç dhe Lautaro Martinez, që do të kenë mundësi të luajnë më pranë sulmuesit kryesor, pa pasur nevojë të hapen shumë në krah dhe të tërhiqen mbrapa në ndihmë të mbrojtjes. Një rol të rëndësishëm në këtë skemë të re do të luajë edhe francezi Karamoh, që ka bindur plotësisht Spallettin dhe do të jetë një alternativë mjaft e vlefshme, pasi mund të zëvendësojë çdonjërin prej dy futbollistëve pas sulmuesit, duke qenë se është një rol që e njeh mjaft mirë, transmeton “SS”.
Ndërkohë, ëndrra e merkatos për repartin ofensiv është Radja Nainggolan, pasi te Roma e para dy sezoneve, belgu ka qenë njëri prej dy futbollistëve në mbështetje të sulmuesit kryesor. Belgu pëlqehet shumë nga Spalletti pasi ka aftësi të mira teknike, por mbi të gjitha një goditje shumë të hidhur, duke garantuar çdo sezon më tepër se 5 gola nga distanca. Janë pikërisht këta të fundit që i kanë munguar Interit të këtij sezoni, që thuajse gjithmonë ka gjetur golin nga goditje brenda zonës së 16 metrave.
Gjithsesi, ajo që është e qartë deri tani, është se deri më 30 Qershor drejtuesit e Interit do të kenë një qëllim të vetëm, të mbyllin pozitivisht bilancin, duke synuar shitjen e lojtarëve që janë jashtë projektit, si Candreva, Eder, Pinamonti, Dalbert, Santon dhe elementë të tjerë nga skuadra e të rinjve. Më pas, nga dita e parë e Korrikut, Ausilio pritet të kënaqë dëshirat e Spallettit, për të ndërtuar një organikë me të paktën 17-18 lojtarë titullarë, për të pasur mundësi që të konkurrojë denjësisht si në Champions, ashtu edhe në kampionat.