Më 1 prill të vitit 1987 doli në shitje për herë të parë në Austri pija energjike “Red Bull”. Tridhjetë e një vjet e gjashtë muaj më vonë, prodhuesi i pijeve energjike tash është një markë sportive gjithëpërfshirëse.
Prej 15 ekipeve që mbajnë emrin e firmës – përfshirë dy skuderitë e Formula 1 – deri te ngjarjet e panumërta të sporteve ekstreme, “Red Bulli” gradualisht po shndërrohet në sinonim të të gjitha sporteve. Portofoli i tyre i pafund i ngjarjeve dhe rekordeve siç ishte ai i kërcimit nga rreth 39 kilometra lartësi, janë bërë të përshtatshme për botën e sporteve, shkruan sot Koha Ditore.
Sidoqoftë, në futboll kjo kompani ka fituar vëmendjen më të madhe, por edhe ka nxitur polemikën. Prej Red Bull Salzburgut te New York Red Bulls, FC Liefering, Red Bull Brazil dhe deri te xhevahiri më i madh RB Leipzig, energjia e pijeve energjetike po vazhdon të rritet në këtë sport.
Është ky një udhëtim të cilin e ka shijuar Andrew Sparks, që për momentin është trajner i portierëve te Southamptoni. Ai ishte dëshmitar i dorës së parë të rritjes së “Red Bullit” në futboll, pasi për shtatë vjet ka qenë trajner i akademisë brenda organizatës – në New York dhe Salzburg (2005 – 2012).