Rexha për mosekzekutimin e pagave: Një presion shtesë të LVV-së dhe Qeverisë ndaj RTK-së

Prishtinë | 13 Nën 2025 | 11:57 | Nga Ekonomia Online

Situatën me mospagesën për punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha e ka quajtur tjetër presion nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Qeveria në detyrë, raporton Ekonomia Online.

Mosekzekutimin e pagave për 700 punëtorët e RTK-së, Rexha përgjegjës e bënë kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, pa çka thekson se në baza ditore shihet edhe se si kjo qeveri dhe parti politike ka ndikim në përmbajtjen e lajmeve të RTK-së.

“AGK gjatë gjithë kohës qëndron në përkrahje dhe solidaritet të plotë me gjithë kolegët e RTK-së. Është për keqardhje që jemi në mesin e muajit nëntor dhe pagat e 700 kolegëve të RTK ende nuk janë ekzekutuar. Ka qenë një krizë e paralajmëruar, e pritshme dhe gjithë kjo krizë bie mbi qeverinë aktuale — qeverinë në largim, e cila njëjtë kishte rezistuar në korrik për të gjetur një zgjidhje, duke insistuar në Kuvend, dhe njëjtë po insistohet sot për komisione parlamentare në një Kuvend që është i konstituar, por nuk ka një qeveri të votuar në Kuvend. Thirrja jonë është për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrin e Financave që të gjejnë rrugë ligjore për të ekzekutuar së paku edhe për tre muaj shtesë buxhetin për RTK, në mënyrë që gjithë stafi i RTK-së të paguhet. Këtë situatë e shohim si një presion shtesë të LVV-së dhe Qeverisë së Kosovës ndaj transmetuesit publik, RTK-së. Kjo qeveri dhe parti politike tashmë kanë ndikim të madh politik — e shohim në bazë ditore dhe në përmbajtje të lajmeve dhe përmbajtjes tjetër të RTK-së. Dhe këtë e shohim si presion shtesë. Pra, presioni politik që ka qenë i pranishëm për vite të tëra, tashmë po shndërrohet edhe në presion financiar. Dhe kjo është e papranueshme”, tha ai.

Rexha pret që Qeveria të reflektojë e punëtorët mos të hyjnë në grevë, por në rast se jo atëherë ai u bëri thirrje të gjithë punëtorëve të RTK-së që mos të punojnë asgjë përderisa nuk marrin paga.

“Edhe Raporti i Reporterëve pa Kufij, por edhe raporti për vendin, e nxjerrin në pah faktin se RTK kalon në vështirësi të mëdha për shkak të paqëndrueshmërisë financiare. Bëjmë thirrje që pas votimit të një qeverie të re, të ketë një ligj për RTK-në, i cili do të sigurojë njëherë e përgjithmonë edhe çështjen e ndërtesës së vendit, sepse e dimë që kolegët e RTK-së punojnë në kushte të vështira. Përkrahim edhe grevën e paralajmëruar, por shpresojmë të mos vijë deri te kjo. Thirrja jonë është që, meqenëse tash ka përfunduar fushata për zgjedhjet lokale, të ketë një përkushtim të Qeverisë së Kosovës për të gjetur një zgjidhje dhe për ta evituar këtë grevë. Por nëse greva ndodh, jemi në përkrahje, sepse ajo është një prej formave sindikale të protestës, që për një orë apo më shumë, një ditë, punëtorët të mos bëjnë asgjë, të mos punojnë, përderisa nuk i marrin pagat e tyre”, tha ai.

Të ngjashme